Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Opozita izraelite akuzon Netanyahun për pengim të armëpushimit, bën thirrje që qeveria të rrëzohet

Yair Golan, kreu i Partisë Demokratike Izraelite, deklaroi të shtunën se kryeministri Benjamin Netanyahu po pengon arritjen e një marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve dhe një armëpushim në Rripin e Gazës.

Ai kërkoi rrëzimin e qeverisë, duke e akuzuar atë për sabotimin e përpjekjeve për paqe.

“Hetimi i New York Times vetëm sa konfirmon atë që të gjithë e dinë tashmë: Netanyahu, ministri i Financave, Bezalel Smotrich dhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir po bllokojnë një marrëveshje për të mbijetuar politikisht,” ka shkruar Golan në platformën X.

Sipas tij, “jeta e pengjeve dhe ushtarëve ka më pak rëndësi për ta sesa pozitat e tyre”. Ai i përshkroi Netanyahu, Smotrich dhe Ben-Gvir si “një pakicë ekstreme që po e tërheq gjithë vendin drejt humnerës” dhe theksoi se ata po sabotojnë përpjekjet për një marrëveshje tjetër, shkruan Anadolu.

“Për të shpëtuar jetë dhe për të mbrojtur të ardhmen e vendit, kjo qeveri duhet të rrëzohet,” theksoi Golan.

Komentet e tij erdhën pas një raporti të publikuar të premten nga The New York Times, i cili zbuloi se Netanyahu, në përpjekje për të ruajtur pushtetin, ka zgjedhur partnerë të ekstremit të djathtë në koalicion dhe ka penguar përparimin e negociatave për lirimin e pengjeve.

Ndërkohë, Hamasi njoftoi të mërkurën se ishte i gatshëm të lironte 10 pengje izraelite si gjest “fleksibiliteti” për arritjen e një armëpushimi dhe marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve. Por Izraeli ka mbetur i palëkundur në qëndrimet e tij, përfshirë refuzimin për t’u tërhequr nga Gaza.

Tel Avivi këmbëngul në krijimin e një zone tampon që shtrihet nga 2 deri në 3 kilometra në zonën e Rafah-ut dhe 1 deri në 2 kilometra në pjesët e tjera të kufirit.

Duke mos përfillur thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli ka nisur një ofensivë intensive në Gaza që nga fundi i tetorit 2023.

Deri tani, raportohet se janë vrarë afro 58,000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake ka shkatërruar infrastrukturën e enklavës dhe ka shkaktuar krizë humanitare, me mungesë të theksuar ushqimi dhe përhapje të sëmundjeve.