Në Kosovë tashmë ka nisur zbatimi strikt i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, ligje këto që sjellin rregulla të reja për qëndrimin e shtetasve të huaj dhe përdorimin e automjeteve me targa të huaja në vendin tonë.
Zbatimi i këtij ligji ka ardhur pas takimit të zhvilluar më 14 mars në Prishtinë ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesit special të Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, ku edhe Qeveria e Kosovës ka aplikuar masa lehtësuese për pjesëtarët e komunitetit serb, në prag të zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt dhe atij për automjetet.
Sipas vendimit, qytetarët serbë që nuk posedojnë dokumente të Kosovës do të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi për një periudhë 12-mujore. Po ashtu, autoritetet do të njohin edhe kartat e identitetit të lëshuara nga Serbia, duke synuar zbutjen e ndikimit të këtyre ligjeve në terren.
Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se zbatimi i plotë i legjislacionit në fjalë do të nisë më 15 mars. Në bazë të këtyre rregullave, të gjithë personat pa dokumente të Kosovës do të duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës për më shumë se tre muaj, përveç rasteve me autorizim të posaçëm.
Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se sa i përket Ligjit për të huajt, Qeveria vetëm është duke zbatuar një ligj të miratuar para 13 vjetësh për inkorporimin e strukturave në arsim dhe shëndetësi në sistemin e Republikës së Kosovës, duke theksuar se bëhet fjalë për zbatim gradual dhe në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.
Kurti ka bërë të ditur se synimi është përfshirja e të gjitha strukturave në kuadër të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së vendit, duke siguruar se as pacientët dhe as nxënësit serbë nuk do të mbesin pa shërbime.
“Ne veçse po zbatojmë një ligj nga periudha para 13 vjetëve. Dhe më në fund po zbatohet ligji. Do të bëjmë inkorporimin e të gjitha strukturave të cilat janë në sistemin e shëndetësisë dhe të arsimit. Ju e dini që strukturat e tjera ilegale të Serbisë, sikurse ato të sigurisë, pastaj të financave, të administrimit, nuk ekzistojnë më në Republikën e Kosovës, kanë ngelur edhe arsimi e shëndetësia. Ato do t’i inkorporojmë, por që ta bëjmë këtë, është e domosdoshme që njëherë të kemi listën e të gjithë mësimdhënësve, të gjithë mjekëve, infermierëve të cilët punojnë në këto struktura në sistemin arsimor”, u shpreh ai.
Ai theksoi se procesi do të zhvillohet në mënyrë legale dhe me afate të përcaktuara për pajisje me dokumente të Republikës së Kosovës.
“Ne nuk dëshirojmë që pacientët serbë të ngelen pa trajtim shëndetësor. Ne nuk dëshirojmë që nxënësit serbë të ngelen pa mësim. Por kjo duhet të bëhet në mënyrë legale. E në mënyrë legale do të thotë përbrenda kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës, dhe në këtë aspekt po punojmë duke dhënë edhe një dritare dymbëdhjetë mujore, përkatësisht tremujore për qëndrim, pastaj për punë dhe për pajisje me dokumentet e Republikës së Kosovës. Ju e dini që afate të tilla, të ngjashme kemi dhënë edhe kur ka qenë puna për targat e automjeteve, prandaj gjithçka po shkon siç është më së miri, dhe ky nuk është një veprim politik, ky është zbatim i ligjit, zbatim gradual në bashkëpunim me Bashkimin Evropian në mënyrë që në Kosovë të kemi legalizim, normalizim, investime, për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë Kurti.
Këto lehtësira u mirëpritën nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, ndërsa analisti politik, Afrim Kasolli, thotë se Kurti ka negociuar për këtë çështje me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian edhe gjatë kohës sa ishte ushtrues detyre.
“Fillimi i zbatimit të Ligjit për të huajt, i cili perceptohet si privilegjues për pjesëtarët e komunitetit serb në raport me qytetarët e vendeve të tjera, përbën vetëm episodin e fundit të mënyrës se si Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, po e kalon procesin e dialogut pa ndonjë sfidë serioze të brendshme politike.
Në këtë rast u bë e ditur, tërthorazi, se Kurti kishte negociuar për këtë çështje me përfaqësuesit e Bashkimi Evropian edhe gjatë kohës sa ishte ushtrues detyre, larg vëmendjes së opinionit publik. Megjithatë, ai së fundmi e ka justifikuar këtë veprim si thjesht zbatim të një ligji të miratuar para 13 vitesh.”, thotë Kasolli.

Afrim Kasolli
Ai kritikon opozitën, gjersa pohon se Kurti është bërë partner i domosdoshëm për bashkësinë ndërkombëtare.
Sipas tij, dallon qasja e dikurshme e Lëvizjes Vetëvendosje në opozitë me opozitën e tanishme e cila ka zgjedhur një strategji pritjeje.
“Pavarësisht kësaj, reagimi i opozitës ka qenë i vakët. Përveç disa kritikave sporadike, nuk ka pasur një kundërshtim të organizuar politik. Në të njëjtën kohë, mbështetja ndërkombëtare për Kurtin nuk ka munguar. Si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe BE-ja, kanë vlerësuar qasjen e tij si konstruktive në dialog. Madje, shefja për politikë të jashtme e BE-së, Kaja Kallas, e cilësoi këtë hap si inkurajues për vazhdimin e takimeve me Aleksandar Vuçiq.
Kjo situatë reflekton një realitet politik: mungesa e një opozite aktive e ka bërë Kurtin partner të domosdoshëm për bashkësinë ndërkombëtare. Ndryshe nga qasja që kishte dikur Lëvizja Vetëvendosje në opozitë—e cila synonte ta delegjitimonte procesin përmes kundërshtimit—opozita aktuale duket se ka zgjedhur një strategji pritjeje. Ajo ka besuar se Kurti ose do të rezistonte ndaj marrëveshjeve dhe do të humbiste relevancën ndërkombëtare, ose do t’i zbatonte ato dhe do të humbiste mbështetjen e brendshme. Por në praktikë, asnjëra nuk ka ndodhur”, shton Kasolli.
Në fund, ai shprehet se pushteti real në Kosovë është përqendruar te kryeministri.
“Këto zhvillime shpjegojnë pse Kurti sot shihet si një partner i besueshëm për diplomacinë perëndimore: me të, proceset e dialogut mund të avancojnë pa pengesa të mëdha të brendshme. Në këtë kuptim, ai konsiderohet si lideri që mund të “përfundojë punën” dhe kjo megjithatë, lidhet drejtpërdrejt me qasjen pasive të opozitës. Së fundmi, një sfidë e vetme relative erdhi nga Vjosa Osmani, por mosrikandidimi i saj për një mandat të dytë ka forcuar perceptimin se pushteti real në Kosovë është përqendruar te kryeministri”, përfundon Kasolli.
