
Pas zgjedhjes së kryetarit Dimal Basha, Kuvendi është përballur me një bllokadë të re – atë të zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Situata u ndërlikua pasi partitë shqiptare në opozitë nuk votuan për kandidatin Nenad Rashiq, duke pamundësuar vazhdimin e konstituimit të plotë të Kuvendit. Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje votoi kundër kandidatëve të propozuar nga Lista Serbe.
Qëndrimi i opozitës ka shkaktuar reagime të forta, me kritika të drejtpërdrejta për mosshfrytëzimin e mundësisë për të larguar përfaqësuesit e Listës Serbe nga kryesia e Kuvendit
Së pari, reagoi veprimtari shqiptaro-amerikan, Agim Aliçkaj, ku në një postim në Facebook ‘shpërtheu’ ndaj partive shqiptare që nuk e votuan Rashiqin dhe anasjelltas votimi shkoi në favor të Listës Serbe.
“Ata që mendojnë të marrin pushtetin duke i dhënë Listës srpska “pak autonomi” nuk dallojnë nga Rrahman Morina. Ai u mashtru dhe u eliminu nga serbët”, shkroi Aliçkaj.
Pas deklaratës së tij, reagoi edhe një tjetër veprimtar shqiptar në SHBA, Ramazan Bekteshi, i cili dha një mesazh të shkurtër, por të qartë:
“Opozita, për pushtet, rrënon shtet!”/BS