Lajme

Orteku vdekjeprurës në Pakistan merr 10 jetë, mes viktimave edhe alpinisti me rekord botëror

Alpinisti i njohur nepalez Nirmal Purja, i cili hyri në histori pasi ngjiti të 14 majat mbi 8 mijë metra në vetëm 190 ditë, ka humbur jetën pas një orteku në malin Broad Peak në Pakistan.

Bashkë me të kanë humbur jetën edhe nëntë anëtarë të tjerë të ekspeditës, në një nga tragjeditë më të rënda të alpinizmit modern.

Orteku goditi ekipin më 30 korrik, teksa alpinistët po ngjiteshin nga Kampi 2 drejt Kampit 3, në një lartësi prej rreth 6,600 metrash. Operacionet e kërkim-shpëtimit nisën një ditë më pas, por kushtet e vështira atmosferike penguan ndërhyrjen.

Fillimisht u gjetën trupat e Pur Bahadur Gurung nga Nepali, Nadhira Al Harthy, gruaja e parë nga Omani që kishte ngjitur Everestin, si dhe alpinistes amerikane Sarah Mallory.

Pas rifillimit të kërkimeve, u konfirmua edhe vdekja e Nirmal Purjas dhe shtatë alpinistëve të tjerë që rezultonin të zhdukur.

Lajmi u konfirmua nga agjencia Elite Exped, e drejtuar nga vetë Purja, e cila në një reagim publik e cilësoi atë si “një nga alpinistët më të mëdhenj në histori” dhe një udhëheqës që frymëzoi miliona njerëz me guximin dhe vendosmërinë e tij.

Vdekja e Purjas dhe e nëntë anëtarëve të ekspeditës konsiderohet një nga fatkeqësitë më të mëdha në historinë e ngjitjeve në majat tetëmijëshe, duke iu shtuar tragjedive të njohura në Everest, K2, Manaslu dhe Nanga Parbat.

Purja kishte mbërritur në Pakistan për të ngjitur Gasherbrum II, por më pas vendosi të tentonte edhe Broad Peak, me synimin për t’u bërë personi i parë që ngjit dy herë të 14 majat mbi 8 mijë metra pa përdorur oksigjen shtesë.

Vetëm pak ditë para tragjedisë, ai kishte shkruar në rrjetet sociale:

“Nuk e marr asnjë mal si të mirëqenë. Nga momenti që largohem nga kampi bazë, jam 100% i përqendruar.”

Nirmal Purja u bë i famshëm në vitin 2019 me projektin “Project Possible”, kur ngjiti të 14 majat më të larta të botës në vetëm 190 ditë, një rekord që u pasqyrua edhe në dokumentarin e Netflix “14 Peaks: Nothing Is Impossible”.

Ish-ushtari i forcave speciale britanike konsiderohej një nga figurat më të mëdha të alpinizmit bashkëkohor.

Të Ngjashme