Aktuale

OSHEE nis skemën e re për shlyerjen e borxheve të energjisë, këstet deri në 240 muaj

Furnizuesi i Shërbimit Universal, pjesë e OSHEE Group, ka nisur zbatimin e një skeme të re lehtësuese për qytetarët dhe bizneset që kanë detyrime të prapambetura nga faturat e energjisë elektrike. Skema përfshin të gjitha debite e krijuara deri më 31 dhjetor 2024 dhe synon të ndihmojë klientët që të shlyejnë detyrimet përmes kësteve afatgjata.

Sipas njoftimit zyrtar, programi prek të gjitha kategoritë e klientëve, me një fokus të veçantë tek familjet në nevojë. Për familjarët që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë, pagesa mujore e këstit mund të nisë nga 1,200 lekë. Për klientët e tjerë familjarë kësti minimal mujor fillon nga 2,800 lekë.

Numri maksimal i kësteve mund të arrijë deri në 240, çka do të thotë se detyrimet mund të shlyhen për një periudhë deri në 20 vjet. Klientët kanë gjithashtu mundësinë të zgjedhin këste më të larta mujore nëse duan të përfundojnë më shpejt shlyerjen e detyrimit.

Për institucionet dhe subjektet jofamiljare, skema parashikon një numër këstesh që përcaktohet sipas vlerës së detyrimit. Për debi më të ulëta parashikohen rreth 24 këste, ndërsa për detyrime më të mëdha mund të arrihet deri në 120 këste.

OSHEE ka parashikuar edhe ulje të kamatëvonesave për ata klientë që zgjedhin të paguajnë menjëherë të gjithë detyrimin. Klientët familjarë përfitojnë ulje prej 70 për qind të kamatëvonesës, klientët jofamiljarë 50 për qind, ndërsa biznesi i vogël mund të përfitojë falje të plotë të kamatëvonesës nëse e shlyen detyrimin me një pagesë të vetme.

Një skemë e veçantë është parashikuar edhe për raste specifike si faturat korrektive, faturat përmbledhëse apo rastet që lidhen me testimin dhe demontimin e matësit të energjisë. Këto detyrime mund të shlyhen me deri në 24 këste, ndërsa nëse paguhen menjëherë përfitohet gjithashtu ulje e kamatëvonesës.

Për të përfituar nga këto lehtësi, klientët duhet të kenë shlyer faturat e krijuara gjatë vitit 2025 dhe në vijim. Pas nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë, kësti i parë duhet të paguhet brenda shtatë ditëve, ndërsa më pas pagesat vijojnë çdo muaj sipas planit të përcaktuar. /skyweb.al

Të Ngjashme