Procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës po shndërrohet në një fushë beteje politike ku secila parti dhe grupim kërkon të maksimizojë ndikimin e saj.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e konfirmuar si kandidate për një mandat të dytë, përballet me sfidën e balancimit të mbështetjes së brendshme me nevojën për konsensus më të gjerë ndërpartiak.
Në të njëjtën kohë, emra si Lumir Abdixhiku i LDK-së e Ramush Haradinaj diskutohen si mundësi për të ndarë peshën politike mes grupeve që kërkojnë një kompromis, duke reflektuar tensionet dhe marrëveshjet e fshehta që shpesh përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Mirëpo, se kush realisht mund të pritet të marrë postin e presidentit/es të vendit dhe si mund të shkojë ky proces, në një prononcim për “Bota sot” foli anëtari i Listës Guxo, Luan Gacaferi.
Si fillim, ai tha se është e sigurt se Osmani do jetë candidate edhe për një mandat të presidentes, ndonëse nuk e mohoi mundësinë që të ketë edhe kundërkandidatë nga partitë opozitare.

Luan Gacaferi
Megjithatë, anëtari i Guxo, beson se do jetë pikërisht LDK, ajo që do ia bëj korumin Osmanit, e që sipas tij, për këtë ka arsye të madhe.
“Një gjë është e sigurt, Vjosa Osmani do të jetë kandidate për presidente edhe për një mandat!
Tani se a do të ketë kundërkandidat nga opozita mbetet të shihet.
Mirëpo, unë besoj shumë se LDK, minimalisht, do të qëndrojë në sallë për t’i bërë kuorumin.
Kjo, pasi që LDK nuk e ka ‘luksin’ me shku në zgjedhje të reja”, deklaroi Luan Gacaferi për “Bota sot”.
Kujtojmë se, nëse partitë parlamentare nuk arrijnë ndonjë pajtueshmëri për çështjen e presidentit të ri, atëherë do të ketë sërish zgjedhje të parakohshme, dhe vendi do të zhytej edhe më thellë në krizë.
Presidenti zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë dhe një kandidati i duhen të paktën 80 vota të deputetëve – nga 120 në përgjithësi – në rundin e parë.
Nëse nuk i siguron ato në rundin e parë dhe as në të dytin, i mjaftojnë të paktën 61 vota në rundin e tretë, por me një kuorum prej 80 deputetësh në sallë.