Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se marrja e detyrës si kryetare e Republikës, pesë vjet më parë, nuk ka qenë kulmi i karrierës së saj, por vetëm fillimi.
Këtë deklaratë emocionuese ajo e tha në një organizim për Javën e Gruas në Prishtinë, që rastis të jetë pak ditë para se ta përfundojë mandatin e saj si shefe e shtetit.
Sipas Osmanit, pesëvjeçari i saj në krye të shtetit ishte periudhë kur u forcuan institucionet dhe u shtua hapësira për gratë.
Osmani: Marrja e detyrës si presidente nuk ka qenë kulmi i karrierës, por vetëm fillimi
“Pesë vite më parë kur mora detyrën si presidente e vendit nuk e pash atë si një kulm të rrugëtimit tim sepse realisht nuk ishte. Ishte një fillim, një moment kur filloi përgjegjësia më e lartë sepse kalimi nga përfaqësimi në përgjegjësi është një nga proceset më të vështira në politikë. Aty përfundon simbolika dhe fillon pesha reale e vendimeve… Gjatë këtyre viteve kemi bërë përparim. Institucionet janë forcuar. Hapësira për gratë është zgjeruar dhe më e rëndësishmja kemi dëshmuar se lidershipi me integritet nuk është dobësi, por është standard që duhet të vazhdohet”, theksoi Osmani.
Megjithatë, ajo përmendi edhe atë që e quajti fushatë baltosëse ndaj saj, për të cilën tha se u bë kohët e fundit, pasi shpërndau Kuvendin me dekret presidencial.
Ani pse nuk përmendi emra, e para e vendit tha se kur propaganda mund të kthejë, brenda natës, dikë si tradhtare, atëherë e tërë demokracia është në rrezik.
Osmani: Kohët e fundit puna ime është përballur me një fushatë baltosëse
“Çdo përparim gjithnjë e ka edhe një kundërpeshë. Koha e fundit e ka dëshmuar këtë. Në javët e fundit puna ime është përballur me një fushatë baltosëse që qëllim nuk e ka kritikën dhe nuk ka të bëjë aspak me llogaridhënien. Është diçka tjetër, shumë më e ftohtë dhe krejtësisht e qëllimshme. Është përpjekja për të zhveshur një njeri nga dinjiteti i tij njerëzor, për ta kthyer në objekt dhe për ta krahasuar me kafshët më të egra dhe për të zëvendësuar të vërtetën me imazhe të manipuluara… Kur propaganda mund të kthejë këdo në tradhtar brenda natës dhe kur e vërteta s’ka aspak rëndësi dhe kur dinjiteti shndërrohet në dëme kolaterale, atëherë e tërë demokracia është në rrezik”, shtoi ajo.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se është e hapur për të fuqizuar rolin e legjislativit.
Haxhiu: Jam e hapur për të fuqizuar rolin e Kuvendit
“Si kryetare e Kuvendit do të angazhohem maksimalisht që këto trajtime të projektligjeve të bëhen në mënyrën sa më të mirë të mundshme, duke marrë parasysh edhe aspektin gjinor. Nuk kemi nevojë të bëjmë ligje që nuk i përshtaten rrethanave tona. Kosova ka ligje të mira, por shumë shpesh ato nuk zbatohen në praktikë. Prandaj edhe në këtë kuptim, në grupet punuese të Kuvendit duhet të përfshihen organizatat e shoqërisë civile, institucionet e ndryshme. Prandaj jam shumë e hapur të fuqizoj rolin e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Haxhiu.
Ndërkaq, drejtoresha e NDI në Kosovë, Nancy Soderberg, tha se Kosova ka bërë përparim në avancimin e përfaqësimit politik të grave, por hapi tjetër është që përfaqësimi i grave të përkthehet edhe në udhëheqje.
Soderberg: Kosova ka bërë përparim të madh në avancimin e përfaqësimit politik të grave
“Është me rëndësi që të njihet se Kosova ka bërë përparim të madh në avancimin e përfaqësimit politik të grave. Vendi është vlerësuar për angazhimin e tij përmes kuotave gjinore, duke rritur prezencën e grave në organet e zgjedhura, përfshirë edhe presidentet. Megjithatë, përfaqësimi nuk mjafton vetëm me kaq. Hapi tjetër është të sigurohet që ky përfaqësim të përkthehet në udhëheqje me ndikim të vërtetë dhe në ndikim në politika. Gratë nuk duhet të kenë vetëm një vend në tryezë, por duhet të kenë mundësinë të ndikojnë në vendime, të udhëheqin institucione dhe të nxisin reforma që përmirësojnë jetën e qytetarëve”, përfundoi ajo.
Pjesë e konferencës ishin edhe shumë zyrtare gra, si nga niveli qendror ashtu edhe lokal.
