Lajme

​Osmani nderohet në Vjenë me çmimin “Dr. Erhard Busek”, për përkushtim ndaj lirisë dhe demokracisë

Dje në Vjenë, në konferencën “Kosova në BE” e organizuar nga Andreas Minnich, nënkryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Austriak dhe Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, me rastin e shënimit të 27 vjetorit të intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë, Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani iu nda çmimi “Dr. Erhard Busek”.

Sipas njoftimit, ky çmim iu akordua Presidentes Osmani për lidership të jashtëzakonshëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për lirinë, demokracinë dhe integrimin euroatlantik.

Në fjalimin e tij z. Minnich, ka shprehur mirënjohje të lartë për kontributin e Presidentes Osmani.

“Nuk ka grua në Evropë si ajo që lufton kaq shumë për pranimin e Kosovës në BE dhe që thekson atë që na bashkon. Ajo është një ndërtuese urash, që rrallë gjendet si e tillë, dhe ndërton ura jo vetëm brenda Evropës, por edhe përtej Atlantikut”, citohet Minnich nw komuniatwn e Zyrws sw Presidencws.

Ai tutje ka thënë se Presidentja Osmani është një ndërtuese e shkëlqyer urash transatlantike.

“Është gjithmonë e veçantë të takohesh me të, për të diskutuar idetë e saj, vizionet e saj dhe vizionet e saj për Kosovën këtu në Evropë, si dhe për projekte që kanë rëndësi të vërtetë në mbarë botën. Ajo mbështet çështjet më të mëdha, vizionet më madhështore. Duam ta falënderojmë me këtë Çmim”, ka thënë Minnich.

Ndërkaq Presidentja Osmani nëpërmjet një video fjalimi falënderoi për çmimin duke e konsideruar atë si një vlerësim i veçantë.

“27-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë është një dëshmi e asaj që bëhet e mundur kur drejtësia gjen zërin e saj dhe kur bota zgjedh të qëndrojë në anën e duhur të historisë.” Tutje, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për Austrinë duke e vlerësuar atë si një shtet mik të palëkundur e parimor. Me këtë rast, ajo ka falënderuar Parlamentin Austriak për organizimin e kësaj konference që nderon ndërhyrjen vendimtare të NATO-s 27 vjet më parë për të ndaluar gjenocidin kundër popullit të Kosovës.

Tutje, Presidentja Osmani ka theksuar se liria nuk dhurohet, por fitohet, mbrohet dhe çohet përpara brez pas brezi.

“Kosova nuk është vetëm një histori mbijetese. Është një histori vendosmërie për të ndërtuar një shtet ku dinjiteti, barazia dhe demokracia nuk janë vetëm aspirata, por realitete të jetuara çdo ditë”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka theksuar se rruga përpara është e qartë. “Kosova i përket Bashkimit Evropian dhe NATO-s, jo vetëm si objektiv politik, por si një vazhdimësi e vlerave që ne mishërojmë si vend: paqe, liri, drejtësi, sundim të ligjit dhe partneritet të qëndrueshëm me demokracitë në mbarë botën”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në fund, Presidentja Osmani ka falënderuar z. Andreas Minich, ministren Beate Meinl-Reisinger, Eurodeputetin Helmut Brandstätter, Kryetarin e PAN-Europa Reinhard Kloucek, eurodeputetin Lukas Mandl, si dhe të gjithë miqtë austriakë që mbështesin rrugën e Kosovës drejt BE-së si dhe diasporën tonë në Austri për kultivimin e miqësisë midis dy vendeve tona.

Presidentja Osmani, po ashtu ka shprehur falënderimin e saj për komitetin e Çmimit “Dr. Erhard Busek”, për nderimin me këtë çmim.

Çmimi “Dr. Erhard Busek” është çmim i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, i themeluar me rastin e 85-vjetorit të lindjes së ish zëvendës kryeministër dhe ministër i Arsimit në Austri, udhëheqës i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, promovues i paqes dhe Evropës së bashkuar dhe përkrahës e mik i madh i Kosovës. 

Të Ngjashme