Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Osmani nga Tirana kërkon heqjen e masave: Ka një bllokadë totale për Kosovën nga ana e BE-së

 
   

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Osmani, nga Tirana ku po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Evropian, u shpreh ashpër ndaj Bashkimit Evropian, i cili sipas saj nuk po i vlerëson reformat dhe punën e Kosovës, ndërkaq, tha se i hap derën atyre që shkojnë në Moskë te Putini, duke aluduar në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Osmani: Ka një bllokadë totale nga ana e BE-së për Kosovën, nuk vlerësohen reformat dhe puna

Përkundër faktit që jemi 100 për qind të linjëzuar me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE-së, fatkeqësisht ka një bllokadë totale nga ana e BE-së. Nuk vlerësohen reformat tona, nuk vlerësohet puna jonë dhe nuk vlerësohet fakti që jemi 100 për qind në përputhje me politikat e tyre. Po jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë, pasi më shumë po hapet dera në raport me ata që po shkojnë në Moskë te Putini, sesa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër përveç BE-së,” tha ajo.

Duke folur për dialogun Kosovë–Serbi, Osmani theksoi se ka më shumë kërkesa ndaj Bashkimit Evropian për heqjen e masave, dhe se procesi i anëtarësimit në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci.

Ajo shtoi se procesi aktual i dialogut nuk është i barabartë, përderisa Kosova gjendet nën masa ndëshkuese e Serbia jo. Megjithatë, ajo shprehu shpresë se përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, dhe emisari për dialogun, Peter Sorensen, do të shtyjnë përpara heqjen e masave.

Osmani: Kosova nën masa, kjo e prish barazinë në tryezën e dialogut

Kam më shumë pritshmëri sa i përket një lloj balance nga ana e BE-së, pasi siç e dini, Kosova është nën masa dhe Serbia nuk është. Kjo e prish barazinë në tryezën e dialogut. Kam më shumë shpresë se nga zonja Kallas dhe zoti Sorensen do të shtyhet përpara heqja e masave dhe trajtimi i barabartë i palëve. Ne do të jemi konstruktivë,” theksoi Osmani.

Megjithatë, Osmani tha se Kosova e ka kryenegociatorin, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili sipas saj ka fuqi të plotë dhe mund të zhvillojë takime në nivel kryenegociatorësh, nëse kërkohet nga Bashkimi Evropian.

Sa i përket krizës politike në Kosovë, Osmani tha se do të ketë ende përpjekje për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.

Osmani: Kosova ka kryenegociatorin për dialog, nëse kërkohet nga BE-ja mund të ketë takime

Besoj se do të ketë përpjekje ende, dhe unë i inkurajoj liderët politikë që, për interes të qytetarëve dhe të Kosovës, të mos humbasim kohë dhe të kemi institucione sa më parë që të jetë e mundur. Kosova ka kryenegociatorin, që është me fuqi të plotë. Zëvendëskryeministri i parë, i cili nuk ka kandiduar apo zgjedhur si deputet, ka kompetenca që, nëse kërkohet nga BE-ja, të ketë një takim në nivel kryenegociatorësh,” deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se në samitin e sotëm në Tiranë nuk ka takime dypalëshe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Duke folur për darkën joformale të djeshme mes liderëve të rajonit dhe të BE-së, ajo tha se nga disa pjesëmarrës pati qëndrime të ashpra për vizitën e presidentit Vuçiq në Moskë, ndërsa nga të tjerë u arsyetua një veprim i tillë.

Sipas saj, një gjë e tillë dërgon një mesazh të dëmshëm për rajonin dhe jo vetëm për Kosovën.

Osmani: Nga disa kishte qëndrime të ashpra për vizitën e Vuçiq në Moskë, e nga disa u arsyetua

Nga disa kishte, nga disa nuk kishte. Nga disa kishte qëndrim të ashpër, kurse nga disa kishte qëndrim arsyetues. Kjo është jashtëzakonisht dëmtuese dhe dërgon një mesazh të dëmshëm për rajonin dhe jo vetëm për ne,” përfundoi Osmani deklarimin e saj para mediave, në nisje të Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Tiranë.