
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përfunduar vizitën zyrtare në Malajzi, të cilën e ka vlerësuar si tejet të suksesshme dhe domethënëse për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Gjatë qëndrimit në Kuala Lumpur, u mbajtën dhjetëra takime në nivel të lartë me liderë institucionalë e përfaqësues të biznesit dhe diplomacisë malajziane.
Një nga momentet kryesore të vizitës ishte hapja zyrtare e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Malajzi – një hap i rëndësishëm për forcimin e pranisë dhe bashkëpunimit diplomatik në rajon.
“Kosova dhe Malajzia – një partneritet që e ka zanafillën në ditët më të vështira për Kosovën, kur Malajzia na doli në krah, e që dita ditës po bëhet më i fortë dhe më domethënës”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook, duke ndarë edhe disa fotografi nga vizita.
Presidentja ka vlerësuar mikpritjen e ngrohtë dhe përkushtimin e autoriteteve malajziane për bashkëpunim të mëtejshëm në fusha të ndryshme, duke përfshirë ekonominë, arsimin, teknologjinë dhe ndërlidhjen kulturore.
“Një mikpritje dhe nderim për Kosovën që nuk do të harrohet, por edhe një premtim i qartë që i shërben zhvillimit dhe fuqizimit të ndërsjellë. Faleminderit! Terima Kasih!”, përfundoi ajo.
Hapja e ambasadës në Kuala Lumpur vlerësohet si një hap strategjik në zgjerimin e partneriteteve globale të Kosovës dhe një sinjal i qartë për angazhimin e saj në rrafshin ndërkombëtar.