Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Osmani: Reçaku, dëshmi e qëllimit shfarosës të Serbisë ndaj Kosovës

 
   

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeparlamentarin Dimal Basha dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti kanë bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, duke nderuar viktimat e njërit prej krimeve më të rënda të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Pas homazheve, Osmani tha se Reçaku mbetet dëshmi e qartë e qëllimit shfarosës të regjimit gjenocidal të Serbisë ndaj popullit të Kosovës, duke theksuar se plagët e kësaj masakre vazhdojnë të flasin edhe sot.

“Në këtë 27 vjetor të masakrës së Reçakut edhe një herë përkujtojmë të gjitha viktimat e kësaj masakre të llahtarshme, e cila sërish dëshmoi qëllimin shfarosës që regjimi gjenocidal i atëhershëm i Serbisë kishte ndaj popullit të Kosovës. Reçaku dhe plagët e Raçakut akoma flasin, sepse dhimbja është ende e freskët siç ishte para 27 vitesh”, tha presidentja Osmani.

Ajo tutje theksoi se dhimbja është e freskët për familjet, por edhe për gjithë popullin e Kosovës, sepse siç tha, ende nuk ka pasur drejtësi për krimet që janë kryer këtu dhe në pjesë tjera të Republikës së Kosovës.

“Pas 27 vitesh Serbia vazhdon me po të njëjtat politika, me të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut është krim i dyfishtë”, tha tutje e para e shtetit.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova do të vazhdojë ta mbrojë të vërtetën për Reçakun dhe për krimet e tjera të luftës, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare.

“Ashtu siç dëshmoi edhe ambasadori William Walker në ditën e krimit, ajo çfarë ka ndodhur këtu ishte krim kundër njerëzimit, krim kundër popullit të pafajshëm dhe ishte dëshmi e gjallë se qëllimi i regjimit serb ishte ta zhduk popullin shqiptar nga faqja e dheut”, shtoi ajo.

Presidentja theksoi se liria, pavarësia dhe demokracia në Kosovë janë ndërtuar mbi sakrificën e martirëve të Reçakut, të martirëve anembanë Kosovës dhe të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot jemi të lirë, sot gëzojmë pavarësinë, demokracinë në shtetin tonë sovran në tërë territorin e Republikës së Kosovës për shkak se themelet e shtetit tonë janë të forta dhe janë bërë të forta me sakrificën e martirëve të Reçakut dhe martirëve gjithandej Kosovës dhe dëshmorëve të UÇK-së, të cilët dhanë edhe jetën që ne sot ta gëzojmë lirinë. I përjetshëm kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë tonë”, nënvizoi Osmani.