Dita e sotme (e enjte 5 mars) shënon afatin e fundit kur Kosova mund t’i fillojë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri.
Të mërkurën Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kandidoi Glauk Konjufcën, aktualisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, për pozitën e presidentit, ndërsa ende nuk ka ndonjë kandidaturë të dytë të propozuar as nga pozita as nga opozita.
Kandidati i dytë është i nevojshëm për thirrjen e seancës, derisa i njëjti duhet duhet t’i sigurojë 30 nënshkrime për t’i hyrë garës.
Deri më tash, LVV-ja ka thënë se ka gatishmëri t’ua sigurojë nënshkrimet edhe partive opozitare nëse kanë ndonjë kandidat për president, por ato nuk kanë përmendur ndonjë emër konkret.
Kjo parti ka thënë se nënshkrimet ia ka ofruar edhe presidentes aktuale, Vjosa Osmani, e cila synon një mandat të dytë, por që ajo ka refuzuar.
Nga ana tjetër Presidenca ka përgënjeshtuar këto deklarata duke thelluar edhe më tepër hendekun e me Qeverinë dhe kryeministrin Kurti.
Profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi ka komentuar debatin e fundit rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës, pas deklaratave kontradiktore mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe Presidencës lidhur me mundësinë e kandidimit të presidentes aktuale Vjosa Osmani.

Prof. Dr. Enver Bytyçi
Sipas tij, diskutimi që u hap në publik për ofertën e nënshkrimeve nga deputetët e Lëvizja Vetëvendosje për Osmanin nuk duhet parë vetëm në nivel deklaratash, pasi pas këtij debati mund të fshihen kalkulime politike për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, ku si emër i mundshëm përmendet edhe Glauk Konjufca.
“Një debat i papritur nisi për temën e zgjedhjes së presidentit të Kosovës. Eksponentë të mazhorancës deklaruan se nga LVV i kanë propozuar presidentes aktuale, Vjosa Osmani, se do i japin asaj 30 nënshkrime për kandidimin e saj. Por sipas tyre, ajo nuk ka pranuar. Një zyrtare e stafit të presidentes dematoi atë që lançuan në medie përfaqësuesit e mazhorancës. Dhe menjëherë pas saj zëdhënësi i Vetëvendosjes tha se 33 deputetë nga grupi parlamentar i kësaj partie janë në pritje të kërkesës së zonjës Osmani për t’ia nënshkruar mbështetjen për t’u zgjedhur. Deri këtu duket se gjithçka është fer dhe e vërtetë. Por analiza nuk bëhet bazuar vetëm në atë që shohim e dëgjojmë. Ka rëndësi të shkohet më tej. Çfarë ka pas këtij debati?
Arsyetimi më logjik është fakti se nëse Vetëvendosja dhe koalicioni i saj mazhoritar janë të gatshëm të nënshkruajnë kandidimin e zonjës Osmani për t’u zgjedhur si presidente, atëherë këta deputetë që i japin asaj mbështetje do të duhej ta votonin atë. Por Vjosa nuk ka garanci se ajo do të votohet në kuvend në raundin e tretë të zgjedhjes së presidentit? Do votohet Glauk Konjufca apo Vjosa Osmani? Logjika shkon në favor të Glauck Konjofcës. Të jemi të qartë: – Kjo analizë nuk ka të bëjë me atë se kush pre të dyve e meriton karriken e kreut të shtetit. Të dy këta, Glauku dhe Vjosa, nuk mund të qortohen për atë pozicion. Të dy janë të aftë dhe të përshtatshëm në në atë post. Pra për Kosovën nuk ka asnjë rëndësi se cili prej tyre do të jetë president/e i Republikës”, ka thënë Bytyçi për “Bota sot”.
Megjithatë, sipas tij presidentja Osmani është në të drejtën e saj të dyshojë nga oferta e nënshkrimeve të deputetëve të mazhorancës.
“Nuk di asgjë çfarë është biseduar. Nuk e di, nëse zoti Kurti i ka premtuar vota për kandidim apo për zgjedhje si presidente e Republikës zonjës Osmani. Por logjika ta thotë se VV ka ofruar vota për kandidim pa garanci për votat e zgjedhjes si presidente. Atëherë logjika vijon e shkon në favor të faktit se Vjosa Osmani ta ketë refuzuar këtë ofertë. Ndaj dhe gjykoj se zyrtarja e presidencës nuk thotë të vërtetën”, është shprehur ai.
Por a ka të drejtë presidentja në detyrë ta refuzojë një ofertë si ajo, çfarë deklaruan eksponentë të Vetëvendosjes?
Sipas Bytyçit, nëse Vjosa Osmani do të pranonte firmat pa garanci për votat e mazhorancës, atëherë ajo do të bënte një autogol, të cilin do ta vuante pas lënies së detyrës si kryetare e Republikës së Kosovës.
“Ndaj dhe duhet shkuar te narrativa, sipas së cilës ajo me të drejtë e ka refuzuar këtë ofertë. Në fund të fundit ajo është presidente e vendit, ishte për pesë vite në krye të shtetit dhe për pasojë do të ishte e turpshme për të të bëhej fasadë e një gare të shtirur. Është më dinjitoze që ta refuzojë firmën e 33 deputetëve, të cilët në fund të fundit do të votojnë Glauk Konjufcën president. Për këtë nuk ka dilemë. Po pse atëherë përfaqësuesja e saj në presidencë e demantoi ofertën e deklaruar? Çfarë zori kishte ta bënte këtë. Edhe nëse kishte ofertë dhe kjo nuk është pranuar, Vjosa do të fitonte pikë që ta deklaronte një gjë të tillë si të vërtetë dhe të fliste hapur me qytetarët e saj”, ka theksuar ai.
Nga ana tjetër, sipas profesorit, mazhorancës i mbetet që të sigurojë zgjedhjen e presidentit.
Ai ka theksuar se Glauk Konjufca është më i miri për këtë post nga radhët e kësaj mazhirance.
“Opozita nuk e deshi për kryeministër deri sa të vinte koha të zgjidhej presidenti, tani do të detyrohet ta pranojë për president të vendit. Glauku e meriton. Megjithatë formalizmat nuk janë të dobishme. Opozita do të duhej të kishte një kundërkandidat, edhe pse me shumë gjasa ai nuk do të merrte votat për t’u bërë president i vendit. Por në fund të fundit kjo është demokracia. Edhe të qenit kandidat për president i jep vlerë jo vetëm garës, por edhe vetë opozitës. Së paku opinioni publik do të kuptonte se me figurën e propozuar nga opozita, ajo ka qëlluar ose jo në shenjë, ka dhënë ose jo një kandidat serioz dhe meritor. Në fund të fundit në politikë luftohet për të fituar opinionin publik. Si në Bigbrather!”, ka përfunduar Bytyçi.
