
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të Takimit Aqaba në Sofje, zhvilloi një takim bilateral me Mbretin Abdullah II të Jordanisë, me të cilin ka diskutuar për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, sfidat e sigurisë dhe zhvillimet gjeopolitike.
E para e vendit tonë në një status në rrjetin X, ka shkruar se Kosova dhe Jordania do të forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje, ekonomi dhe diplomaci, me marrëveshje që do të konkretizohen së shpejti, pa dhënë më shumë detaje.
Osmani ndodhet në Bullgari, ku do ta përfaqësojë Kosovën në Procesin Aqaba për Ballkanin III, me ftesë të Mbretit të Jordanisë, Abdullah II dhe presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, krahas liderëve të tjerë. Osmani ka mbajtur fjalim në hapje të samitit dhe ka zhvilluar takime të ndara bilaterale.
Ky takim organizohet nën përkujdesjen e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe Republikës së Bullgarisë dhe synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
Procesi Aqaba, i iniciuar nga Mbreti Abdullah II i Jordanisë në vitin 2015, ka luajtur një rol kyç në koordinimin e përpjekjeve globale kundër terrorizmit dhe adresimin e sfidave të sigurisë.
Në forumin në Sofje marrin pjesë edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, kryetarja e Presidencës së BeH Zhelko Cvijanoviq, presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Silanovska-Davkova, presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq, presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc-Musar, presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Brendshëm i Belgjikës Bernard Quintin.