Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Osmani: U dëshmua potenciali për thellimin e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Japoni

 
   

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se gjatë takimit biznesor Kosovë-Japoni të mbajtur në Tokio, është dëshmuar potenciali për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Përmes një postimi, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e këtij takimi për forcimin e marrëdhënieve ekonomike me Japoninë, duke nënvizuar se bashkëpunimi mes bizneseve të të dyja vendeve është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve të reja.

“Sot, gjatë takimit biznesor Kosovë-Japoni në Tokio, u dëshmua potenciali për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona,” ka shkruar Osmani.

Ajo shtoi se është veçanërisht e lumtur që gjatë kësaj vizite në Japoni është e shoqëruar nga një delegacion i bizneseve nga sektorë të ndryshëm në Kosovë, të cilët sipas saj përfaqësojnë gatishmërinë konkrete për partneritet strategjik me Japoninë.

Vizita e presidentes Osmani në Japoni ka për synim forcimin e lidhjeve diplomatike dhe hapjen e mundësive të reja ekonomike për Kosovën në tregun aziatik.