Një deklaratë ka ngjallur diskutime të shumta kohët e fundit, të cilën, ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e bëri në Prishtinë, derisa deklaroi se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë nën kërcënim për dy vjet nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.
Sipas Ramës, kërcënimi lidhej me vendimin e Osmanit për të mos lejuar që prokurorët të kërkonin prova edhe në zyrën e Presidentit të Kosovës.
“Tani, mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror edhe për mua që presidentja e Kosovës është kërcënuar. Dhe këtë gjë nuk e dini sepse nuk është thënë asnjëherë, por po e them sot,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se kërcënimi ka ndodhur për shkak se Osmani nuk ka lejuar që “prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës, se me demek do të kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit, gjë që natyrisht do ta vendoste Kosovën në sytë e botës si një shtet ku deri në zyrën e Presidentit gjenden prova për krime kundër njerëzimit.”
Rama e përshkroi vendimin e Osmanit si një akt që mbrojti jo vetëm dinjitetin personal të presidentes, por edhe nderin e shtetit të Kosovës:
Deklarata ka shkaktuar reagime të ndryshme, duke ngritur pyetje për raportet e brendshme politike në Kosovë, sidomos marrëdhëniet mes Osmanit dhe kryeministrit Albin Kurti.
Disa analistë e shohin këtë si një informacion me rëndësi për transparencën, ndërsa të tjerë paralajmërojnë se mund të ndikojë në balancën e pushteteve dhe besimin në institucionet e Kosovës.
Dajaku: Nga njëra anë, kjo lë të kuptohet se Presidentja mund të mos ketë bashkëpunuar me drejtësinë
E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foli edhe Xhevat Dajaku, vëllai ish-truprojës së presidentit Rugova, Besim Dajaku.

Xhevat Dajaku
Si fillim, ai u shpreh se, deklarata e Ramës për Osmanin, ka krijuar një habi në opinion publik, madje ai këtë e pa edhe si një goditje ndaj institucionit më të lartë të shtetit në sytë e ndërkombëtarëve.
“Ne e pamë rastin kur zonja Vjosa Osmani u detyrua të merrte personalisht përsipër mbrojtjen e zyrës së Presidencës nga oficerë të AKI-së, të cilët kërkonin diçka në ambientet presidenciale me rastin e arrestimit të Hashim Thaçi për krime të dyshuara ndaj bashkëkombasve të tij.
Nuk e dimë nëse ka pasur diçka që do t’i hynte në punë prokurorisë, pasi Presidentja nuk dha sqarime. Por deklarata e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, se Presidentja e Kosovës qenka “kërcënuar” gjatë dy viteve nga prokurorët e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, krijon hutim në opinionin e brendshëm dhe përbën një goditje ndaj institucionit më të lartë të shtetit në sytë e ndërkombëtarëve”.
Krahas kësaj, Dajaku u shpreh se kjo ka lënë të nënkuptohet se Osmani ka refuzuar të bashkëpunojë me drejtësinë, e që sipas tij kjo e dëmton atë.
Sipas tij, nëse ka pasur gjetje që ndërlidhen me krime dhe janë anashkaluar, atëherë mund të lindin dyshime të mëdha mbi qëllimin e një veprimi të tillë nga presidentja.
“Nga njëra anë, kjo lë të kuptohet se Presidentja mund të mos ketë bashkëpunuar me drejtësinë – gjë që do të ishte tepër e dëmshme për raportin mes Presidencës dhe sistemit të drejtësisë, sidomos duke pasur parasysh rolin monitorues të faktorit ndërkombëtar në ndërtimin e shtetësisë së vendit.
Nëse ka pasur gjetje që lidhen me krime apo çështje të ngjashme dhe ato janë anashkaluar, atëherë lind dyshimi se cili ka qenë qëllimi i një veprimi të tillë. Nëse do të ishin mbajtur për arsye personale apo për kalkulime politike, kjo do të ishte edhe më e papranueshme. Shkeljet ligjore dhe morale kanë nivele të ndryshme, por një situatë e tillë do të kalonte çdo kufi normal”, shtjelloi ai.
Më tej, komentoi edhe heshtjen e Osmanit ndaj këtyre deklaratave të Ramës, derisa beson se një heshtje e tillë dëmton besueshmërinë e të dyve.
“Presidentja nuk reagoi, dhe deklarata e Ramës – qoftë e shpifur apo e vërtetë – mbeti në opinion si e mirëqenë. Megjithatë, termi “kërcënim” nuk mund të merret si i vërtetë pa fakte. Prokuroria mund të ketë bërë kërkesa zyrtare, gjë që është normale. Nëse Presidentja nuk i bën publike ato kërkesa, atëherë nuk mund të gjykohet nëse bëhet fjalë për presion apo për procedura të zakonshme ligjore. Në këtë mënyrë, deklarata e Ramës, e shoqëruar me heshtjen e Presidentes, dëmton besueshmërinë e të dyve dhe, mbi të gjitha, cenon institucionin e Presidencës”.
Ndër të tjera, Dajaku për “Bota sot” e ndërlidhi këtë gjë edhe me synimin e Osmanit edhe për një mandat të dytë.
Këtu, përmendi edhe raportet Kurti-Osmani dhe si mund të vijojnë ato, në këto kohë vendimtare për procesin e zgjedhjes së presidentit/es së vendit.
“Zonja Osmani po shihet se mund të jetë në përgatitje për një mandat tjetër, dhe sjelljet e fundit reflektojnë më shumë ambicie politike sesa seriozitet institucional. Për të fituar mbështetje, asnjë lider nuk duhet të lëkundë sigurinë shtetërore apo stabilitetin institucional, pasi këto janë elemente që përcaktojnë nivelin e përgjegjësisë së një udhëheqësi.
Sa i përket raportit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dinamika do të varet nga momenti i zgjedhjes së Presidentit/es. Nëse Kurti e mbështet për një mandat tjetër, raportet mund të jenë të mira; në të kundërt, mund të shfaqen përplasje politike. Fatkeqësisht, kjo formë bashkëpunimi e përçarjeje sipas interesit të momentit ka qenë shpesh karakteristikë e politikës sonë: bashkohen me zhurmë dhe ndahen me po aq ashpërsi”.
Burjani: Atje nuk ka prova, por ka shumë gjëra që lidhen me punët e presidentit dhe shtetit

Blerim Burjani
Ndërkaq, juristi Blerim Burjani potencoi se, te sekretet shtetërore nuk mund të hyjë askush, ai përmendi edhe protokollet dhe afatet e ndryshme.
“Te sekretet shtetërore nuk mund t’i hyjë askush. Janë arsyet, protokollet dhe afatet kur mund të zbardhen informacionet e “kutisë së zezë”. Atje nuk kanë qasje ish-presidentët, por vetëm presidentja aktuale, dhe edhe ajo ka qasje vetëm për një pjesë, gjatë kohës që është presidente”.
Ndërkaq, ai tha se mund të mos fshihet asgjë, por që ka protokoll ligjor.
“Pra, këto janë rregulla që i dinë edhe prokuroria, edhe gjykata. Mund të mos fshihet asgjë, mirëpo protokolli ligjor është i tillë. Atje nuk ka prova, por ka shumë gjëra që lidhen me punët e presidentit dhe të shtetit përgjithësisht”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.
