Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Kenian për Ditën e Pavarësisë. E para e shtetit thotë se ky vit shënon një moment përcaktues në marrëdhëniet dypalëshe. Vendimi i Kenias për të njohur Republikën e Kosovës, sipas Osmanit, hapi një kapitull të ri midis vendeve.
“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh urimet e mia më të ngrohta presidentit William Ruto dhe popullit të Kenias ndërsa festoni Datën Jamhuri. Ky vit shënon një moment përcaktues në marrëdhëniet tona dypalëshe. Vendimi i Kenias për të njohur Republikën e Kosovës hapi një kapitull të ri midis vendeve tona, një kapitull të ndërtuar mbi respektin e ndërsjellë, vlerat e përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen. Populli i Kosovës do ta kujtojë gjithmonë këtë akt me mirënjohje të thellë”, ka shkruar Osmani.
Osmani ka thënë se Kosova nderon arritjet e guximin e Kenias.
“Sot, Kosova feston me ju. Ne nderojmë arritjet e Kenias, guximin tuaj, unitetin tuaj dhe lidershipin tuaj në Afrikë dhe më gjerë. Uroj që miqësia jonë të thellohet, partneriteti ynë të rritet dhe popujt tanë të përparojnë së bashku në vitet në vijim”, ka shkruar Osmani në urimin e saj për Kenian.
Kenia kishte njohur Kosovën në mars të këtij viti.

