Lajme

OVL-UÇK: Është fyese që në seancën për Epopenë e UÇK-së nuk u ftuan kategoritë e dala nga lufta

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë shprehur zhgënjimin për siç kanë thënë ata, mungesën e një ftese për të qenë pjesë e seancës solemne të Kuvendit të Kosovës kushtuar Epopesë së UÇK-së.

Përmes një reagimi në Facebook, OVL-UÇK ka thënë se ndjehen të fyer dhe se është paradoksale të flitet për lavdinë e UÇK-së brenda sallës së Kuvendit, e jashtë saj të lihen njerëzit që e krijuan atë histori me gjakun dhe sakrificën e tyre.

“Është e papranueshme dhe thellësisht fyese që në një seancë solemne të Kuvendi i Republikës së Kosovës kushtuar Epopesë së UÇK-së, të mos ftohen fare përfaqësuesit e kategorive të dala nga lufta.

Pikërisht ata burra e gra që me pushkë në dorë ngritën dhe mbrojtën idealin e lirisë, ata që sakrifikuan gjithçka për këtë shtet, sot u lanë jashtë një ceremonie që i kushtohet historisë dhe sakrificës së tyre. Kjo nuk është vetëm një neglizhencë institucionale, por një shpërfillje e drejtpërdrejtë ndaj luftëtarëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe gjithë atyre që bartën mbi supe barrën e luftës për liri.

Është paradoksale që të flitet për lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda sallës së Kuvendit, ndërsa jashtë saj të lihen pikërisht njerëzit që e krijuan atë histori me gjakun dhe sakrificën e tyre.

Kategoritë e dala nga lufta nuk kërkojnë privilegje, por respektin institucional që u takon. Historia e luftës çlirimtare nuk mund të kujtohet duke përjashtuar ata që e bënë atë histori”, thuhet në reagimin e tyre. 

Të Ngjashme