Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj ligjëratës së mbajtur nga Dhomat e Specializuara, duke e konsideruar atë jo si një aktivitet edukativ, por si një përpjekje të qartë për të menaxhuar imazhin e gjykatës pas shkeljeve të vazhdueshme ndaj të drejtave themelore të të akuzuarve dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Sipas OVL-UÇK-së, në vend që të merret me fushata propagandistike, Gjykata Speciale duhet të përmirësojë besueshmërinë e saj duke respektuar Kushtetutën, ligjet e vendit dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
Organizata paralajmëron se ligjërata e fundit është e ngjashme me taktikat e përdorura nga organet e pushtetit në ish-Jugosllavi pas demonstratave studentore të vitit 1981, kur mbledhje të ngjashme organizoheshin për të stigmatizuar dhe përgatitur popullin për dënime drakonike ndaj rinisë shqiptare.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK identifikon disa shkelje kryesore të Gjykatës Speciale që kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e saj:
Shkelja e parimit të barazisë para ligjit, duke ndjekur penalisht vetëm një palë dhe lënë krimet serbe të pandëshkuara.
Mohimi i lirimit të përkohshëm, edhe në kushte humanitare, në kundërshtim me praktikën evropiane.
Zgjatja e pajustifikueshme e paraburgimit pa vendime përfundimtare, duke e kthyer atë në dënim paraprak.
Cenimi i dinjitetit njerëzor të të paraburgosurve, përmes kushteve kufizuese që nuk përputhen me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies publike, duke refuzuar të adresojë shqetësimet e institucioneve dhe organizatave të veteranëve.
Ndërhyrje indirekte në fusha të ndjeshme, si arsimi, pa autorizim institucional dhe pa debat publik, duke ngritur dyshime për ndikim dhe propagandë.
OVL-UÇK thekson se veprime të tilla nuk i shërbejnë drejtësisë, por vetëm imponimit të një narrative të parapërgatitur, duke dëmtuar rëndë imazhin dhe besueshmërinë e gjykatës.

