
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë qëndruar në sallën plenare edhe pasi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ndërpreu seancën pas dështimit të 41-të për zgjedhjen e trupave të legjislativit.
Pa asistencë të administratës së Kuvendit dhe pa zërim adekuat, deputetët e partive që deri tani ishin në opozitë mbajtën fjalime në foltoren e Kuvendit. Të njëjtit akuzuan partinë që ka dalë e para në zgjedhje, Lëvizjen Vetëvendosje, se po bllokon konstituimin e Kuvendit dhe po shkel Kushtetutën e vendit, sidomos pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për krizën politike. Pas përfundimit të deklarimeve të qëndrimeve të tyre, ata u larguan nga salla plenare.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, akuzoi LVV-në se po i konvenon bllokada në Kuvend, për shkak të, siç tha, aferave korruptive në sektorin e energjisë.
Tahiri: LVV-së po i konvenon bllokada në Kuvend për shkak të aferave korruptive në sektorin e energjisë.
“Sot, më shumë se kurrë, vendit tonë i duhet një qeveri dhe institucione stabile. Vendit i duhet një hetim i mirëfilltë në sektorin e energjisë. Energjia nuk është luks, por nevojë për secilin qytetar. Kostoja e energjisë po bëhet e papërballueshme… Askujt më shumë sesa këtyre grupeve kriminale nuk i pengon konstituimi i Kuvendit të Kosovës,” tha ai.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ishte më e ashpër në drejtim të kryesuesit të seancës konstituive, deputetit nga radhët e LVV-së, Avni Dehari. Sipas saj, ky i fundit është kthyer në instrument të LVV-së dhe qëllimisht po e shkel aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ku, sipas saj, definohet qartë ndalimi i votimit të fshehtë në zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Madje, ajo tha se për veprimet e LVV-së në tri seancat e fundit do t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese për të konstatuar shkeljet e tyre.
Bajrami: Do t’i drejtohemi sërish Kushtetueses
“Këta e kanë bllokuar Kuvendin e Kosovës sepse dëshirojnë të punojnë për mafinë energjetike. Dëshirojnë të punojnë pa legjitimitet. Dëshirojnë të punojnë të papenguar dhe të pakritikuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Sot, për të 34-ën herë, vihet në votim një komision që nuk është në rend të ditës, për të cilin Glauk Konjufca, si ish-kryetar i legjislaturës së tetë, është pajtuar me përfaqësuesit e partive parlamentare. Tashmë e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e përcakton qartë se kryesuesi i seancës konstituive duhet ta respektojë atë në mënyrë të përpikët. Janë tri pika të rendit të ditës të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit… Kështu, do të detyrohemi t’i drejtohemi përsëri Gjykatës Kushtetuese me kërkesë të qartë, sepse nuk kemi të bëjmë me njerëz normalë dhe me njerëz që dinë të lexojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese,” theksoi Bajrami.
Në anën tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, kërkoi nga LVV-ja të kthehet te rendi i ditës i dakorduar më herët dhe te votimi i hapur, si mundësi për zgjidhjen e krizës politike dhe konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Kadrijaj: Duhet t’i kthehemi votimit të hapur
“Ajo çfarë po kërkojmë ne si parti ish-opozitare është që të kthehemi te rendi i ditës dhe te votimi i hapur, ashtu siç ka përcaktuar aktgjykimi i Kushtetueses. Të gjitha këto seanca nuk janë zhvilluar në frymën e Kushtetutës… Ne nuk mund të vijojmë punën pafundësisht me këtë qasje bllokuese, duke ditur çfarë po ndodh përreth dhe me aferat korruptive,” theksoi Kadrijaj.
Janë bërë më shumë se pesë muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por institucionet e reja ende nuk janë formuar si pasojë e krizës politike dhe dështimit për zgjedhjen e trupave të Kuvendit, çka do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re.