Aktuale

“PA RRUGË”, PA TURISTË! Bllokimi i Librazhd-Prrenjas, anulon fundjavat festive në juglindje

Shembja në rrugën Librazhd–Pogradec ka sjellë anulime masive të rezervimeve në Pogradec, Korçë dhe Kolonjë, duke prekur veçanërisht fundjavat dhe festat e 7–8 Marsit. Operatorët turistikë raportojnë dëme të konsiderueshme ekonomike.

Bllokimi i lëvizjes për shkak të shembjes në rrugën Librazhd–Pogradec solli anulim masiv të rezervimeve për pushimet ditore në juglindje.

Hotelet, bujtinat dhe restorantet e Korçës dhe Pogradecit janë më të prekurat, duke sjellë kështu një dëm të konsiderueshëm ekonomik.

“Fundjava e shkuar dhe fundjava që po vjen kemi radhë të gjata anulimesh, janë anuluar në moment të fundit për shkak të rrugës. Pjesa më e madhe e vizitorëve janë nga Tirana e Durrësi, u anuluan. Edhe bashkëpunëtorët tanë kanë të njëjtin dëm ekonomik për këto dy fundjava. Anulimet nisin që në fillim të javës.”

Operatorët turistikë shprehen se dy fundjava tashmë janë anuluar, ku përfshihen edhe festat e 7–8 Marsit.

“Ne operojmë me grupe të huajsh që zgjedhin të frekuentojnë qytetin e Pogradecit. Grupet vijnë nga Tirana ose shkojnë drejt Tiranës. Rruga solli shumë probleme, shumë grupe anuluan rezervimet e tyre në hotelin tonë, për shkurtin dhe jo vetëm, pasi nuk dinë se çfarë ndodh. Kemi anulime edhe për 7–8 Marsin, të atyre që vijnë nga Tirana.”

Anulime të rezervimeve ka pasur edhe në hotelet e Kolonjës, ndërsa rruga që lidh juglindjen me Shqipërinë e Mesme është pothuajse e braktisur nga automjetet.

Të Ngjashme