Lajme

Pacolli: Pse prapë zgjedhje dhe pse kjo “tallje”? Presidenti duhet të zgjidhet nga populli

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të vendit, duke kritikuar praktikën aktuale dhe duke kërkuar që kreu i shtetit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.

Pacolli ka kujtuar se ideja për zgjedhjen e Presidentit nga populli ka qenë bindja e tij që nga viti 2007, por sipas tij atëherë nuk kishte gjetur mbështetje politike. Ai thotë se në atë kohë madje ishte akuzuar nga kolegë të tij se po tentonte të impononte “sisteme të lindjes”.

Sipas tij, në një demokraci funksionale posti i Presidentit duhet të jetë shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe jo rezultat i marrëveshjeve të mbyllura mes partive politike.

Ai kritikon gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, sot vendoset për Presidentin në Kuvend, duke përmendur vota të sigurta dhe kalkulime partiake, të cilat rrezikojnë ta reduktojnë institucionin e Presidentit në një instrument të politikës ditore.

Pacolli e cilëson paradoksale që institucioni që duhet të simbolizojë unitetin e vendit të varet nga votat e një grupi të kufizuar deputetësh, të cilët janë të lidhur me interesat e partive të tyre.

Postimi i plotë:

Pse prap zgjedhje?

Pse kjo tallje?

Ideja për zgjedhjen e Presidentit të vendit drejtpërdrejt nga populli ka qenë BINDJA IME që nga viti 2007. Mua atëherë askush nuk më mbështeti. Nese shiqoni në retrospektivë, e shifni se kolegët e mi të atëhershëm ( disa nga ata edhe sot janë deputet ), me akuzoni se “ po du me imponuar sisteme të lindjës” Qe tani ku jemi!

Në një sistem demokratik të mirëfilltë, posti i Presidentit duhet të jetë shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe jo rezultat i marrëveshjeve të mbyllura ndërmjet partive politike. Kur Presidenti zgjidhet nga qytetarët, ai merr një legjitimitet të drejtpërdrejtë demokratik dhe përfaqëson gjithë popullin, jo vetëm interesat e një shumice të përkohshme parlamentare.

Sot, kur fati i Presidentit vendoset nga deputetët dhe nga të ashtuquajturit “vota të sigurta” apo kalkulime partiake, institucioni i Presidentit rrezikon të reduktohet në një instrument të politikës së ditës. Në vend që të jetë figurë unifikuese dhe garant i Kushtetutës, Presidenti shpesh shihet si produkt i pazareve politike, marrëveshjeve të fshehta dhe interesave të ngushta partiake. Kjo jo vetëm që e dobëson autoritetin moral të këtij institucioni, por gjithashtu e largon atë nga qytetarët që ai duhet të përfaqësojë.

Është paradoksale që institucioni që duhet të simbolizojë unitetin e kombit të varet nga votat e një grupi të kufizuar deputetësh, të cilët ( nuk logjikojnë ) dhe janë të lidhur ngushtë me kërkesat dhe interesat e udhëheqjeve të partive të tyre.

Në këto rrethana, zgjedhja e Presidentit nga Parlamenti mund të shndërrohet lehtësisht në një proces formal, ku rezultati dihet paraprakisht dhe ku mungon çdo element i vullnetit të drejtpërdrejtë qytetar.

Për më tepër, një praktikë e tillë rrezikon ta degradojë institucionin e Presidentit në një post simbolik pa peshë reale morale dhe demokratike. Kur qytetarët nuk kanë mundësi të shprehin drejtpërdrejt vullnetin e tyre për këtë figurë të rëndësishme shtetërore, krijohet një ndjenjë distancimi dhe mosbesimi ndaj institucioneve.

Prandaj, nëse duam që Presidenti të jetë vërtet përfaqësues i unitetit kombëtar dhe garant i Kushtetutës e jo kukëll, mënyra më e drejtë dhe më demokratike është që ai të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Vetëm kështu ky institucion mund të fitojë legjitimitetin e plotë demokratik dhe të çlirohet nga varësia ndaj kalkulimeve të ngushta partiake.

Ndryshe, vazhdimi i praktikës aktuale rrezikon ta kthejë procesin e zgjedhjes së Presidentit në një farsë politike, ku institucioni që duhet të jetë mbi partitë në fakt mbetet peng i tyre. BP

Të Ngjashme