Ministrja Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor, Fitore Pacolli, I ka kthyer përgjigje përfaqësuesve të Bashkësive Territoriale të Rugovës të cilët i kanë kërkuar ministres të rishqyrtimin e vendimit përmes së cilit ishte ndaluar rreptësishtë çdo lloj aktiviteti ndërtimor pa leje brenda zonave strikte dhe zonave të menaxhuara të Parqeve Kombëtare, “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri”.
Në përgjigjen e ministres drejtuar atyre thuhet se vendimi nuk është kundër banorëve të Rugovës as kundër zhvillimit të zonës.
“Vendimi synon të ndalojë ata që, duke shfrytëzuar mungesën e lejeve, po ndërtojnë hotele dhe vila komerciale e që po shkatërrojnë ekosistemin e fshatrave tuaja autentike. Vendimi ka për qëllim të rregullojë transportin e materialeve ndërtimore brenda zonave të parqeve kombëtare, për të parandaluar degradimin e mëtutjeshëm të natyrës në të dy parqet kombëtare”, thuhet në përgjigjen zyrtare që i ka kthyer Pacolli banorëve të 14 fshatrave të zonës së Rugovës që kishin ngritur shqetësimin lidhur me këtë vendim.
Ministrja ka thënë se edhe pse vendimi kërkon autorizim të posaçëm për mjetet që bartin materiale ndërtimore, ai nuk ka për qëllim të kufizojë lirinë e përgjithshme të lëvizjes së qytetarëve, por të sigurojë që çdo ndërhyrje në këto dy parqe të jetë në përputhje me ligjin.
“Po ashtu, ne kemi marrë parasysh shqetësimin tuaj se ky vendim mund të pengojë riparimet e domosdoshme në shtëpitë apo objektet ekzistuese, siç është ndërrimi i dritareve apo dyerve. Tashmë ne, si Ministri, kemi marrë masa që kërkesat për transport të materialeve ndërtimore brenda parqeve kombëtare, e sidomos kur bëhet fjalë për mirëmbajtjen e shtëpive ekzistuese, të shqyrtohen në afatin sa më të shkurtër të mundshëm, që ju si banorë të zonës të mos keni pengesa administrative në kryerjen e punëve tuaja ditore”, vijon përgjigja e ministrisë.
Pacolli, tutje u ka thënë banorëve të asaj ane se bashkëndien me ta rreth vështirësive që, thotë ajo, kanë pasur ndër vite për t’u pajisur me leje ndërtimore.
“Kjo ka ardhur si pasojë e vonesave të paarsyeshme të qeverive të kaluara lidhur me hartimin e Planit Hapësinor për Bjeshkët e Nemuna”, ka thënë Pacolli.
Tutje, ministrja thotë se Plani Hapësinor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” i miratuar në vitin 2022 e Plani i Menaxhimit për këtë park i miratuar më 2024 nuk kanë për qëllim dhe as nuk shkaktojnë bllokim apo ndalim të zhvillimit, siç mund të jetë perceptuar në disa raste.
Pacolli në këtë përgjigje u ka thënë banorëve të atyre shatrave të Rugovës që vendimet e Ministrisë, vënë gjithmonë në plan të parë interesat e shtetit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallim. “Asnjë vendim i yni nuk synon të cenojë interesat e banorëve apo të privilegjojë interesat specifike të ndonjë grupi të caktuar”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e gjatë që ministrja Fitore Pacoolli i ka kthyer banorëve të 14 fshatrave të zonës së Rugovës.
