Në Gjykatën Administrative në seancën e së mërkurës, në rastin ku paditësi Visar Misini ka paditur Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) dhe Komunën e Vitisë, ka kërkuar anulimin e vendimit të KPMSHCK-së lidhur me anulimin e konkursit për pozitën Zyrtar i Gjendjes Civile dhe realizimin e së drejtës për punësim në këtë pozitë.
Në fillim të seancës përfaqësuesi i paditësit Misini, avokati Sherif Sherifi ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, me të cilën është kërkuar anulimi i vendimit të KPMSHCK-së të datës 7 prill 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Mbetem në tërësi pranë padisë, gjegjësisht kërkesëpadisë të dorëzuar pranë kësaj Gjykate, ku kam kërkuar anulimin e aktvendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, ka deklaruar avokati Sherifi.
Sipas tij, çështja duhet të shqyrtohet edhe në aspektin e ligjshmërisë së vendimit dhe jo vetëm në bazë të përfundimit formal të paraqitur nga KPMSHCK.
Sherifi tha se vendimi i kundërshtuar është nxjerrë mbi një konstatim të pasaktë të gjendjes faktike dhe një interpretim të zgjeruar të kushteve të konkursit, duke ia ngarkuar paditësit pasojat e një gabimi të mundshëm të administratës.
Avokati Sherifi tha se paditësi kishte aplikuar në konkursin publik, të datës 8 nëntor 2024, për pozitën “Zyrtar i Gjendjes Civile”, ndërsa pas verifikimit të dokumentacionit ishte përfshirë në listën e ngushtë të kandidatëve. Tha se paditësi kishte kaluar testimin profesional dhe intervistën me gojë, ndërsa në përfundim kishte marrë 87.2 pikë dhe ishte renditur i pari në listën e kandidatëve.
Megjithatë, pas shpalljes së rezultateve, sipas avokatit Sherifi, Kryetari i Komunës së Vitisë kishte anuluar konkursin.
Sherifi ka theksuar se KPMSHCK e kishte anuluar vendimin e Kryetarit të Komunës, por më pas kishte anuluar edhe vetë konkursin, me arsyetimin se paditësi nuk e kishte plotësuar kriterin e përvojës së punës pas diplomimit.
Sipas avokatit Sherifi, në konkurs ishte kërkuar një vit përvojë pune, por nuk ishte specifikuar se përvoja duhej të ishte para apo pas diplomimit.
Sipas tij, paditësi kishte përvojë pune edhe pas përfundimit të studimeve, duke iu referuar kontratës së punës me një kompani dhe përvojës së mëhershme të punës, duke ia dorëzuar Gjykatës edhe provat për këtë kontratë.
Më pas, gjykatësi i rastit, Rexhep Bllaca ka lexuar përgjigjet në padi të palëve të paditura, përkatësisht përgjigjen e KPMSHCK-së të datës 22 qershor 2026 dhe përgjigjen e Komunës së Vitisë të datës 1 korrik 2026.
Pastaj, u bë administrimi i provave, mes tyre: vendimi për anulimin e konkursit për pozitën “Zyrtar i Gjendjes Civile”, vendimi i KPMSHCK-së A.nr.268/2025, ankesa e paditësit, njoftimi për listën përfundimtare të kandidatëve, konkursi publik i 8 nëntorit 2024, diploma, kontrata e punës dhe pasqyra e Trustit Pensional.
Pas administrimit të provave, Gjykata ka shpallur të mbyllur procedurën e administrimit të provave. Ndërkaq, në fjalën përfundimtare, avokati Sherifi ka deklaruar se nga provat e administruara është vërtetuar se kërkesëpadia është e bazuar dhe se vendimi i KPMSHCK-së duhet të anulohet.
“Këshilli ka arritur në përfundim se paditësi nuk e ka plotësuar kriterin e përvojës së punës pas diplomimit, mirëpo ky përfundim është nxjerrë pa u vlerësuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë të gjitha faktet relevante”, ka thënë Sherifi.
Ai i ka propozuar Gjykatës që ta aprovojë kërkesëpadinë, ta anulojë vendimin e KPMSHCK-së dhe ta urdhërojë Komunën e Vitisë që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për realizimin e së drejtës së paditësit sipas konkursit publik dhe kthimin e tij në marrëdhënie pune në pozitën Zyrtar i Gjendjes Civile.
Në fund, gjykatësi i rastit Rexhep Bllaca ka përfunduar seancën dëgjimore, duke njoftuar se palët do të informohen me shkrim për vendimin përfundimtar dhe do të ftohen në mënyrë të rregullt.
Në seancë, nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e KPMSHCK-së dhe Komunës së Vitisë, të cilët sipas gjyqtarit, ishin ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa me shkresat e 26 dhe 30 shtatorit, kishin arsyetuar mungesën dhe kishin deklaruar se seanca mund të mbahej edhe pa praninë e tyre.
Ndryshe, me padinë e paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, Visar Misini, ka paditur Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) dhe Komunën e Vitisë, duke kërkuar hapjen e konfliktit administrativ për shkak të heshtjes administrative të KPMSHCK-së dhe mosnënshkrimit të akt-emërimit për pozitën Zyrtar në Gjendjen Civile nga Kryetari i Komunës së Vitisë.
Paditësi më 3 shkurt 2025 ka ushtruar ankesë në KPMSHCK me arsyetimin se Kryetari i Komunës së Vitisë nuk i ka nënshkruar kontratën e punës pasi ai doli fitues i konkursit publik. KPMSHCK-ja më 19 mars 2025 e ka njoftuar se afati për vendosje është shtyrë për 10 ditë pune, por edhe pas kësaj shtyrjeje, nuk ka dhënë asnjë përgjigje apo vendim.
Pala paditëse pretendon se kjo mungesë e përgjigjes brenda afatit ligjor përbën heshtje administrative sipas Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Sipas padisë, paditësi ka konkurruar në konkursin publik të 8 nëntorit 2024, ka kaluar testin me shkrim me 63.6 pikë dhe intervistën me gojë me 23.6 pikë, duke arritur gjithsej 87.2 pikë. Ai është shpallur kandidat fitues në listën përfundimtare dhe brenda afatit të ankesave nuk ka pasur asnjë ankesë. Më tej, thuhet se Njësia e personelit ka përgatitur kontratën dhe e ka dërguar te Kryetari për nënshkrim, por Kryetari ka refuzuar ta nënshkruajë me arsyetimin se ka anuluar konkursin, pa e njoftuar fare paditësin për këtë.
Pala paditëse pretendon se ky veprim i Kryetarit është arbitrar dhe në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Rregulloren për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil, pasi kompetenca për rekrutim i takon Njësisë së Burimeve Njerëzore e cila nuk ka pasur asnjë vërejtje për procedurën.
Bazuar në këto, paditësi kërkon që Gjykata të pranojë padinë si të bazuar, të konstatojë heshtjen administrative të KPMSHCK-së, të anulojë refuzimin e nënshkrimit të kontratës nga Kryetari i Komunës së Vitisë, të urdhërojë nënshkrimin e akt-emërimit sipas listës përfundimtare dhe të ngarkojë Komunën e Vitisë me shpenzimet e procedurës gjyqësore.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti me vendimin e datës 20 dhjetor 2024 kishte anuluar konkursin publik për pozitën Zyrtar për Gjendjen Civile, siç thuhet në dokument, duke e bazuar në kompetencat e tij ligjore sipas nenit 53 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Përmes përgjigjes në padi, e paditura e dytë Komuna e Vitisë, e kundërshtoi në tërësi kërkesëpadinë e paditësit Misini si të pabazuar në prova dhe në ligj. Komuna thekson se padia është e paqartë dhe e palejuar, pasi KPMSHCK-ja tashmë ka nxjerrë vendimin, prandaj kërkesa për heshtje është e paarsyeshme dhe duhet hedhur poshtë.
Po ashtu, aty thuhet se Komuna nuk ka legjitimitet pasiv real, sepse procedurat janë bartur te KPMSHCK, e cila ka vendosur të refuzojë ankesën. Dhe se konkursi është anuluar sepse padisësi nuk i ka plotësuar kriteret.
Pala e paditur theksoi se edhe pretendimi për diskriminim është absurd dhe i pabazuar, pasi anulimi i konkursit është bërë për shkak të mospërmbushjes së kritereve ligjore, e jo për ndonjë arsye të ndaluar nga Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Andaj, Komuna i propozoi Gjykatës ta hudh padinë si të palejuar ose ta refuzojë në tërësi si të pabazuar.
Kurse, KPMSHCK-ja në përgjigje në padi thekson se Kryetari i Komunës anuloi konkursin pasi paditësi nuk i ka plotësuar kriteret sepse përvoja e tij e punës ishte para diplomimit. Andaj, propozoi që Gjykata të refuzojë padinë si të pabazuar dhe të vërtetojë vendimin si të bazuar në ligj.
