Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të funksionalizojnë Komisionin e Përbashkët për Personat e Pagjetur gjatë luftës së vitit 1998–1999. Ky komision ishte parashikuar me Deklaratën për Personat e Pagjetur, e nënshkruar më 2 maj 2023 nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuҫiq në Bruksel.
Marrëveshja për funksionalizim u arrit në një takim në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviҫ, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) dhe i dërguarit special Peter Sorensen.
Mirëpo, sa pritet nga Serbia që ta respektoj këtë Marrëveshje, kur dihet se deri më tani shumë herë nuk ka mbajtur fjalën?
Presioni ndërkombëtar
Analisti politik Nexhat Bexheti thotë se presioni gjeopolitik dhe humbja e kredibilitetit ndërkombëtar po e shtyjnë Serbinë të funksionalizojë marrëveshjen e nënshkruar prej vitesh për personat e zhdukur në Kosovë.

Nexhat Bexheti
Ai vlerëson se pranimi i Serbisë për bashkëpunim me Komisionin për Personat e Zhdukur, në krye me kryenegociatorin Besnik Bislimi, nuk është akt vullneti, por rezultat i presionit të shtuar ndërkombëtar.
“Edhe pse marrëveshja për personat e zhdukur është nënshkruar para disa vitesh, ajo nuk është respektuar asnjëherë nga Serbia. Tani, për shkak të zhvillimeve të reja gjeopolitike në Evropë, Serbisë po i ngushtohet rrethi dhe po detyrohet ta funksionalizojë këtë marrëveshje,” deklaron Bexheti.
Sipas tij, legjislacioni ndërkombëtar për konfliktet e armatosura është i qartë dhe obligues për palët ndërluftuese.
“Ligjet ndërkombëtare i obligojnë palët që pas luftës të dorëzojnë të burgosurit dhe të zhdukurit, si dhe të mbajnë evidencë për vendet ku janë vrarë civilët dhe ku janë varrosur në varreza masive. Në rastin e Kosovës, flasim për Serbinë si agresor,” thekson ai.
Bexheti thotë se ushtria serbe i posedon të gjitha të dhënat për varrezat masive, por i ka mbajtur ato të fshehta për vite me radhë.
“Ushtria serbe ka qenë e organizuar dhe ka evidencë të saktë për lokacionet e varrezave masive, të cilat ende nuk i ka zbuluar. Kjo është shkelje flagrante e normave të luftës dhe arsye pse Serbia ndjen turp para opinionit ndërkombëtar, pasi rrezikon të paditet sërish në Hagë,” shprehet analisti.
Ai vlerëson se nuk ka vend për skepticizëm lidhur me zbatimin e marrëveshjes këtë herë, pasi Serbia po humb gradualisht mbështetjen ndërkombëtare.
“Ndëshkimi i Serbisë po ecën hap pas hapi. Ajo e ka humbur kredibilitetin ndërkombëtar. Edhe pse duket se mbështetet nga disa fuqi, kjo përkrahje po shteret, sepse argumentet kundër saj janë të fuqishme dhe bota nuk toleron pafundësisht mosrespektimin e marrëveshjeve të nënshkruara. Vonon, por nuk harron,” thotë Bexheti.
Sa i përket familjarëve të personave të zhdukur, ai thekson se gjetja e trupave do të ishte një lehtësim i madh shpirtëror pas vitesh ankthi.
“Për familjarët, gjetja e më të dashurve të tyre është një satisfaksion moral dhe njerëzor, sepse ankthi i gjatë i ka rraskapitur shpirtërisht,” deklaron ai.
Në fund, Bexheti paralajmëron se Serbia nuk do të përballet vetëm me obligimin për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, por edhe me pasoja financiare.
“Përveç dorëzimit të personave të zhdukur, Serbia do të obligohet nga gjykatat ndërkombëtare të paguajë edhe dëmshpërblim luftarak. Qeveria e re e Kosovës, me gjasë, do të ngrejë padi ndërkombëtare për reparacione, ashtu siç kanë vepruar shumë shtete agresore në botë,” përfundon Bexheti.
Një sinjal shprese
Analisti politik Vesel Makolli thotë se dakordimi në Bruksel për Komisionin e Përbashkët për të Pagjeturit është një dritë shprese, por paralajmëron se Serbia historikisht nuk i ka respektuar marrëveshjet.

Vesel Makolli
Sipas tij çdo lëvizje në drejtim të gjetjes së personave të zhdukur përbën një lajm të mirë për të gjithë shqiptarët, e në veçanti për familjarët që prej dekadash jetojnë me ankth.
“Çdo hap drejt gjetjes së të pagjeturve është gëzim për të gjithë shqiptarët dhe, mbi të gjitha, për familjarët e tyre. Kjo mbetet një plagë e hapur e shoqërisë sonë,” deklaron Makolli.
Ai thotë se deklarata e zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, për arritjen e dakordimit me Serbinë në Bruksel për Komisionin e Përbashkët për të Pagjeturit, përfaqëson një sinjal shprese pas një pritjeje të gjatë.
“Dakordimi në Bruksel është një dritë në tunelin e errët të shpresës që e kemi tash e gati tri dekada, për gjetjen e më të dashurve tanë dhe për mbylljen e një tragjedie makabre që kosovarët e kanë përjetuar nga regjimi gjenocidal serbo-millosheviqian,” thekson ai.
Makolli kritikon mungesën e funksionalizimit të institucioneve shtetërore gjatë vitit 2025, duke e cilësuar këtë periudhë si kohë të humbur për Kosovën, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
“Mos-konstituimi i institucioneve shtetërore gjatë vitit 2025 e ka bërë këtë vit të humbur për Kosovën, sidomos në rrafshin e proceseve që lidhen me finalizimin e shtetësisë së saj,” shprehet analisti.
Ai i referohet edhe deklaratave të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
“Edhe emisari i BE-së, Peter Sorensen, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, konfirmoi këtë realitet kur deklaroi se shpreson që viti 2026 të sjellë atë që viti i kaluar nuk e solli,” shton Makolli.
Sipas tij, Serbia nuk e ka njohjen e Kosovës pjesë të agjendës së saj politike dhe për këtë arsye synon zvarritjen e procesit të dialogut.
“Serbia nuk e ka në horizont të politikës së saj njohjen e Kosovës. Asaj i konvenon prolongimi i marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe vazhdimisht ka provokuar e ka thurur plane kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës,” vlerëson ai.
Makolli shpreh skepticizëm për zbatimin e dakordimit të fundit nga ana e Serbisë.
“Qëndrimeve të Serbisë në Bruksel lidhur me aktivizimin e komisionit miks për të pagjeturit nuk duhet t’u besohet plotësisht. Serbia, historikisht, pothuajse asnjëherë nuk i ka mbajtur premtimet e dhëna në takimet bilaterale dhe trilaterale me faktorin ndërkombëtar,” deklaron analisti.
Ai thekson se marrëveshja gjithëpërfshirëse me njohje reciproke mbetet kyçe për të ardhmen e Kosovës.
“Marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë, me njohje reciproke, është imediate për finalizimin e shtetësisë së Kosovës. Prandaj, përfaqësuesit kosovarë duhet të veprojnë strikt në koordinim me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe gjithmonë ta ‘hedhin topin’ në terrenin e palës serbe,” thekson ai.
Në fund, Makolli nënvizon se çdo marrëveshje me Serbinë duhet të shoqërohet me garanci të forta ndërkombëtare.
“Kosova duhet të insistojë që çdo marrëveshje me Serbinë të ketë garanci të Bashkimit Evropian dhe, në veçanti, të SHBA-së – shtyllës kryesore të pavarësisë së Kosovës,” përfundon Makolli.
