Sindikata e Re e KEK-ut ka njoftuar se të premten, më 12 dhjetor 2025, duke filluar nga ora 11:00, do të organizojë një protestë paqësore para zyrave të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Prishtinë.
Sipas njofitmit, qëllimi i protestës është adresimi i kërkesave të kahershme dhe urgjente të punëtorëve të sektorit energjetik, të cilët, sipas sindikatës, po përballen me kushte të vështira dhe paga që nuk përputhen me tregun aktual të punës.
Sindikata ka bërë të ditura tri kërkesat kryesore që do të shtrohen në protestë që janë rritja e pagave për punëtorët e KEK-ut, në përputhje me realitetin ekonomik, nivelin e inflacionit dhe rreziqet e natyrës së punës, nivelizimi i pagave të punëtorëve të sigurimit fizik, duke i barazuar me pagat e punëtorëve të tjerë të KEK-ut, me efekt nga 1 janari 2026, zbatimi i pagës së 13-të për punëtorët e KEK-ut, ashtu siç është premtuar për sektorin publik.
Në njoftimin e saj, Sindikata e Re e KEK-ut ka theksuar se punëtorët e sektorit energjetik mbajnë mbi supe një përgjegjësi strategjike, pasi nga puna e tyre varet siguria energjetike e vendit, stabiliteti ekonomik dhe funksionimi i përgjithshëm i shtetit. Sipas sindikatës, kërkesat e paraqitura janë të “ligjshme, të arsyeshme dhe të domosdoshme” për mirëqenien dhe dinjitetin e punëtorëve.
Organizatorët kanë siguruar se protesta do të jetë tërësisht paqësore dhe se synimi i tyre është dialogu, jo përplasja. Sindikata i fton të gjithë punëtorët e KEK-ut të bashkohen në këtë iniciativë për të mbrojtur të drejtat e tyre.

