Policia polake ka arrestuar disa persona, kryesisht të mitur, për kërcënime ndaj shkollave, pas dy sulmeve me thikë brenda dy ditëve, ku një person humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, arrestimet u kryen të premten, më 9 tetor, ndërsa autoritetet po përpiqen të qetësojnë shqetësimet e shkaktuara nga paralajmërimet në rrjetet sociale për një të ashtuquajtur “E Premte e Përgjakshme”.
Policia polake ka njoftuar se ka angazhuar zyrtarë policorë në 10 mijë shkolla në të gjithë vendin, si pjesë e masave për parandalimin e sulmeve të mundshme.
Mes të arrestuarve është një 13-vjeçar nga Varshava, i cili kishte publikuar fotografinë e një thike në grupin e komunikimit të klasës dhe kishte kërcënuar nxënësit e tjerë.
Po ashtu, sipas policisë, një 14-vjeçar është ndaluar brenda ambienteve të një shkolle në Varshavë, pasi kishte me vete një thikë dhe mjete piroteknike.
Autoritetet kanë arrestuar edhe 2 të mitur të moshës 15-vjeçare në qarkun Pruszków, afër kryeqytetit, të cilët kishin publikuar një video me kërcënime për vrasje.
Këto arrestime pasuan 2 sulme të rënda në institucione arsimore në verilindje të Polonisë.
Të enjten, një ish-nxënës 15-vjeçar, i pajisur me një kamerë të vendosur në helmetë, vrau një punonjës dhe plagosi dy persona të tjerë në një shkollë fillore në Leszczydol-Nowiny, në verilindje të Varshavës.
Një ditë më parë, të mërkurën, një 19-vjeçar plagosi 10 persona, përfshirë veten, gjatë një sulmi në një shkollë tjetër në Ostroleka.
Pas këtyre ngjarjeve, në rrjetet sociale janë përhapur pretendime për një sfidë të organizuar në internet, që dyshohej se qëndronte pas sulmeve dhe paralajmërimeve për dhunë të re.
Megjithatë, policia polake ka deklaruar se hetimet e deritanishme nuk kanë zbuluar prova për ekzistencën e një organizimi të tillë në shkallë kombëtare.
Ministri polak i Çështjeve Digjitale, Krzysztof Gawkowski, në një intervistë për televizionin privat TVN24, ka paralajmëruar për përhapjen e dezinformatave që po shkaktojnë panik te qytetarët.
“Në internet po qarkullojnë shumë dezinformata të ngarkuara emocionalisht, reagime spontane që lindin nga një ankth i kuptueshëm, por nuk ka asnjë shenjë se po zhvillohet ndonjë ‘sfidë’ në shkallë kombëtare”, ka deklaruar Gawkowski.
Ai ka theksuar se autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë e komunikimit mes individëve që mund të planifikojnë sulme, por aktualisht nuk kanë prova për një kërcënim të koordinuar.
“Nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që 1, 2 ose 3 individë të komunikojnë në një grup, duke hartuar një plan, ose që të shfaqet dikush që imiton sulmet. Megjithatë, nuk shohim prova për një kërcënim nga një grup njerëzish që po koordinohen për t’i bërë keq dikujt sot”, ka thënë ministri.
Ndërkohë, Byroja Qendrore për Luftimin e Krimit Kibernetik në Poloni ka konfirmuar për Reuters se është në dijeni të përmbajtjes së publikuar në një llogari të TikTok-ut, që pretendohej se i përkiste autorit të sulmit të së enjtes.
“Zyrtarët e Byrosë Qendrore për Luftimin e Krimit Kibernetik janë në dijeni të përmbajtjes së publikuar në llogarinë përkatëse të TikTok-ut”, ka deklaruar institucioni për Reuters përmes postës elektronike, duke shtuar se po bashkëpunon me platformën.
Reuters ka bërë të ditur se nuk ka arritur ta gjejë llogarinë, e cila duket se është hequr nga platforma.
TikTok-u nuk i është përgjigjur kërkesës së agjencisë për koment.
Autoritetet polake u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos përhapin informacione të paverifikuara, ndërsa masat e sigurisë në institucionet arsimore janë përforcuar.
