Lajme

Parandalohet vrasja e planifikuar në Lezhë, arrestohen tre persona

Policia e Lezhës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale, duke vënë në pranga tre shtetas, të dyshuar për bashkëpunim në planifikimin e një vrasjeje.

Në kuadër të operacionit të koduar “Detajet”, janë arrestuar Elden Tarja, 25 vjeç, banues në Barbullush; Kristian Ymeri (Shkambi), 34 vjeç, banues në Kamzë; dhe Vinçesk Piroli, 38 vjeç, banues në Kurbin.

Sipas Policisë, dy prej të arrestuarve janë konstatuar duke lëvizur me një motomjet në rrugën e vjetër Pllanë–Lezhë, të armatosur dhe me skafandra, me dyshimin se do të kryenin krimin.

Ndërkohë, personi i tretë dyshohet se bashkëpunonte me ta, duke i transportuar me automjet për t’i ndihmuar të largoheshin nga zona.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës.

Pas marrjes së informacionit për lëvizjet e dyshimta të dy personave me skafandra në aksin e vjetër Pllanë–Lezhë, shërbimet e Policisë organizuan kontrolle dhe patrullime në zonat ku dyshohej se kishte kaluar motomjeti.

Si rezultat i kontrolleve, në segmentin rrugor Gjadër–Barbullush u ndalua një automjet tip “Volkswagen”, në të cilin udhëtonin tre shtetasit e dyshuar.

Sipas Policisë, dy prej tyre ishin konstatuar më herët duke lëvizur me motomjet, ndërsa personi i tretë drejtonte automjetin që do të përdorej për largimin nga zona.

Gjatë kontrolleve fizike, në motomjet, si dhe në banesën e njërit prej të arrestuarve dhe përreth saj, u gjetën dhe u sekuestruan tri armë zjarri, pistoleta, me krehra e fishekë, si dhe municion luftarak.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe motomjeti i dyshuar i përdorur në rast dhe automjeti tip “Volkswagen”.

Nga verifikimet e kryera nga Policia rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi. Sipas njoftimit, çelësat e tij iu gjetën 34-vjeçarit të arrestuar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./rtsh.al/

Të Ngjashme