Parlamenti i Algjerisë ka votuar unanimisht për aprovimin e një ligji që e deklaron kolonizimin e vendit nga Franca një krim dhe kërkon kërkim falje dhe dëmshpërblim.
Ligjvënësit, të cilët kishin veshur shalla me ngjyrat e flamurit kombëtar, brohoritën “jetë të gjatë Algjeri” të mërkurën teksa duartrokitën kalimin e ligjit.
Ligji i miratuar deklaron se Franca mban “përgjegjësi ligjore për të kaluarën e saj koloniale në Algjeri dhe tragjeditë që ajo shkaktoi”.
Legjislacioni liston “krimet e kolonizimit francez”, të cilat përfshijnë teste bërthamore, vrasje jashtëgjyqësore, “torturë fizike dhe psikologjike” dhe “plaçkitje sistematike të burimeve”.
Aty thuhet se “kompensimi i plotë dhe i drejtë për të gjitha dëmet materiale dhe morale të shkaktuara nga kolonizimi francez është një e drejtë e patjetërsueshme e shtetit dhe popullit algjerian”.
Sundimi i Francës mbi Algjerinë nga viti 1830 deri në vitin 1962 ishte një periudhë e shënuar nga vrasje masive dhe deportime në shkallë të gjerë, deri në luftën e përgjakshme për pavarësi nga viti 1954 deri në vitin 1962.
Presidenti francez, Emmanuel Macron , e ka pranuar më parë kolonizimin e Algjerisë si një “krim kundër njerëzimit”, por nuk ka kërkuar falje.

