Lajme

Partitë e vogla pengojnë zgjedhjen e Presidentit, kërkohen ndryshime kushtetuese

Të enjten, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar sot një nismë të re kushtetuese për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Sipas saj, dështimet e njëpasnjëshme të procedurave të mëparshme e kanë bërë të domosdoshme që qytetarët të kenë fjalën e fundit.

“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011,” ka deklaruar Osmani.

Presidentja ka bërë thirrje që të gjitha partitë politike të mbështesin këtë iniciativë: “I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!”

Megjithatë, iniciativa nuk kaloi. Në seancë ishin të pranishëm vetëm 93 deputetë nga 120, përfshirë 9 nga komunitetet joshumicë. Mungesa e deputetëve të Listës Serbe, e cila ka 9 vende, bëri që kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, të mos i hedhë fare në votim amendamentet dhe të paralajmërojë një seancë të re.

Por, seanca e planifikuar për të premten nuk u mbajt pasi që Osmani mori vendim që ta shpërndaj Kuvendin e Kosovës.

Kurse, ekspertët kanë thënë se zgjedhja direkte e presidentit kërkon ndryshime kushtetuese dhe një konsensus të gjerë politik mes partive parlamentare.

Po ashtu, ata vlerësojnë se zgjedhja e presidentit nga populli do të ndihmonte në shmangien e bllokadave politike dhe ndikimit të partive të vogla në procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit. Sipas ekspertëve, bojkotet dhe mosmarrëveshjet politike kanë penguar zgjedhjen e presidentit dhe kanë ndikuar negativisht në funksionimin e institucioneve.

Në këtë drejtim, theksohet se ndryshimet kushtetuese do të ishin të nevojshme për të forcuar demokracinë dhe për të siguruar që zgjedhja e presidentit të mos varet nga kalkulimet politike të partive, por nga vullneti i qytetarëve.

Blerim Burjani: Zgjedhja direkte e presidentit kërkon konsensus

Image
Blerim Burjani

Lidhur me ketë, juristi Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar nevojën për hartimin e një ligji të ri ose amandamentimin e Kushtetutës për zgjedhjen direkte të presidentit.

Sipas tij, në kushtet aktuale juridike, ky propozim ka një “vlerë zgjedhore më të dobët” se ligji i veçantë për zgjedhjen e kreut të shtetit.

“Normalisht, nëse ka konsensus ndërpartiak, nuk ka problem; nëse jo, nuk mund të kalojë. Pra, pëlqimin duhet ta japin të gjitha partitë parlamentare”, ka shpjeguar Burjani.

Ai ka vlerësuar se kjo qasje do të shmangte problemet që lidhen me zgjedhjen e presidentit, por paralajmëroi se tashmë është shumë vonë për të vepruar automatikisht.

Ai ligj nuk shkon pa debat parlamentar dhe publik. Pra, janë disa procedura?”, ka theksuar Burjani.

Mehmeti: Kryetari i shtetit duhet të zgjidhet nga populli

Opinionisti Gani Mehmeti, ka deklaruar për “Bota sot” se amandamentet e vitit 2011 për zgjedhjen e kryetarit nga populli janë të nevojshme dhe të mirëpritura, edhe pse për këtë mandat është vonë t’i zbatojmë.

Ai ka kritikuar bojkotet dhe moszgjedhjen e kryetarit, duke thënë se këto veprime dëmtojnë shtetin dhe tregojnë mungesë përgjegjësie; demokracia funksionon vetëm kur njerëzit veprojnë me përgjegjësi.

Image
Opinionisti Gani Mehmeti

“Amandamentet e vitit 2011 flasin mjaft për dërgimin e tyre që të aprovohen për zgjedhjen e kryetarit nga populli, sado që për këtë mandat të ardhshëm është vonë. Vetë procedura deri atje ka një rrugë të gjatë dhe kjo do të mund të miratohej vetëm për zgjedhjen e kryetarit pas pesë vitesh, jo tani për tani.

Megjithatë, procedimi i Amandamenteve të Komisionit 2011 për zgjedhjen e kryetarit të Republikës së Kosovës, është i nevojshëm dhe i mirëpritur. Kjo do të thotë që partitë politike më të mos kenë mundësi e kushte të vëna për marrje pushteti nga partitë politike të vogla e jashtë qeverisë.

Me bojkote për formimin e institucioneve deri tek zgjedhja e kryetarit/es, që po e çojnë shtetin në degradim – nuk ecet përpara, dhe se, kjo bëhet vetëm nga deputetë të pandërgjegjshëm dhe parti shkatërruese të shtetit.

Me sa po shohim, demokracia qenka e mirë vetëm kur njerëzit janë demokratë, jo kur ata që kanë humbur, tani përpiqen të bojkotojnë shtetin, me moszgjedhjen e kryetarit”, ka thënë ai.

Po ashtu, Mehmeti ka potencuar se pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe formimit të Kuvendit e Qeverisë, procesi ngeci te zgjedhja e kryetarit të shtetit për shkak të bojkotit nga partitë e vogla.

“Zgjedhjet u mbajtën, u kryen, u formua Kuvendi dhe Qeveria. Tani erdhi tek zgjedhja e kryetarit të shtetit. Meqenëse nuk mundën të pengojnë formimin e institucioneve tjera të shtetit, të vegjëlit, ata humbësit, u ndalën dhe bojkotuan pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjen e kryetarit të shtetit, sepse këtë mundësi kishin.

Ky ishte një akti i lig i humbësve, por inatet e tyre të mëdha, shprehën përmes mllefit aq të madh sa penguan zgjedhjen e kryetarit.

Prandaj, zgjedhja e kryetarit të shtetit nga populli, është më se i nevojshëm, më se i pritur e më se i domosdoshëm. Kjo, sepse, parti me numër të vogël votash e deputetësh, është në gjendje të përcaktojë fatin e zgjedhjes ose jo të kryetarit të shtetit, sepse tek partia dhe deputetët mungon çiltërsia e vullneti për shkuarje përpara të shtetit të Kosovës, pse unë jam i vogël, pse unë nuk jam atje për t’u bërë kryetar shteti.

Të vegjël janë ata që paraqesin kushte të tilla, ata që kërkojnë të dalë kryetari nga ajo parti, duke vënë kushte, ose nuk merr pjesë në zgjedhje, nuk votoj dhe se as nuk marr pjesë gjatë votimit, që të pamundësohet zgjedhja e kryetarit, mbasi kështu e ipka Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Edhe këtu, themi se qenka një formulim jo i drejtë në Kushtetutë, ku nuk mjafton të shkohet me shumicën e thjeshtë, prej 61 votash më së pakti. Kjo me mbi 80 vota do të vlente për vende me demokraci të mirëfilltë me dashuri për shtetin e pa inate, pa shprehje revolte, tek ata deputetë që kanë për synim shtetin e jo interesin e deputetëve apo të partisë”, ka shpjeguar ai.

Në fund, Mehmeti ka shtuar se kryetari i shtetit duhet të zgjidhet nga populli, për të parandaluar manipulimin e zgjedhjes nga partitë politike dhe për të siguruar funksionimin e shtetit.

Ai ka nënvizuar se ndryshimet kushtetuese në këtë drejtim janë të domosdoshme për të mbrojtur demokracinë nga veprimet e papërgjegjshme të disa politikanëve.

“Shih për të gjitha këto që u thanë, gjithsesi kryetari i shtetit do duhej të zgjedhej nga POPULLI, që të mos mund të luajë asnjë parti me fatin e zgjedhjes së kryetarit dhe të funksionimit të shtetit. Asnjë kryetar partie nuk ia vuri gishtin kokës e të mendojë mirë për shtetin, vetëm për vete, sikur shteti po edhe pozita, qenkan armiqt e opozitës në përgjithësi.

Prandaj, ndryshimet Kushtetuese në këtë drejtim, janë më se të nevojshme, që të mos vihet në pikëpyetje demokracia nga të papërgjegjshmit”, ka përfunduar Mehmeti.

Të Ngjashme