Kryeministri Edi Rama po mbron me çdo kusht Belinda Ballukun, sepse nëpërmjet saj mbron pushtetin e tij dhe sulmon drejtësinë.
Kreu i qeverisë “ka kry punë” dhe “siç iku Balluku, ashtu do largohet edhe ai. Kështu u shpreh sot në studion e “News 24” Ilirjana Kuçana, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së dhe njëkohësisht ish-kandidate për deputete në zgjedhjet e 11 majit 2025 në qarkun Durrës.
Ajo komentoi situatën më të fundit politike, e veçanërisht nismën e qeverisë për ndryshimet ligjore, me qëllim kufizimin e drejtësisë tek pezullimi i zyrtarëve të lartë.
“SPAK ka trokitur në derën e Ramës dhe ai do bëjë gjithçka për ta penguar. Kushtetuta është e barabartë për të gjithë, përfshirë edhe politikanët, nëse Rama nuk e ka kuptuar këtë pjesë është problem i tij, ligji është i barabartë për të gjithë, pse mbron vetëm Ballukun dhe jo Veliajn e të tjerët. Ai është i shqetësuar, ndaj po sulmon drejtësinë”, argumentoi ajo.
Kuçana u shpreh e bindur se ashtu siç iku zv/kryeministrja Balluku, tashmë e pezulluar me vendim të GJKKO dhe e pandehur nga SPAK, teksa Kushtetuesja la në fuqi edhe vendimin e pezullimit, ashtu do të largohet edhe Rama.
“E kam thënë, siç iku Balluku ashtu do iki edhe Rama, nuk ka as Bruksel që e mbron. Rama të lëshojë Ballukun dhe të mos pengojë mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Rama po përpiqet të mbrojë Ballukun sepse e kam thënë, ajo është fundi i Edi Ramës, ndaj ai nuk po mbron në dukje Ballukun por veten e tij, aepse aty është pas edhe dosja e AKSHI-t, edhe familja”, vijoi ish-kandidatja për deputete.
Sipas politikanes opozitare, kjo do mbahet mend si qeveria më e korruptuar, ndaj edhe kryeministri do bëjë gjithçka për të mbrojtur karrigen e tij. Ndaj për këto arsye, sipas Kuçanës “Rama ka kry punë”, ashtu sikurse edhe Balluku.
“Kjo do mbahet mend si qeveria më e korruptuar, për afera dhe njerëz të dënuar. Me treçerekun e kryebashkiakëve të akuzuar apo në burg, me zv/kryeministren e pandehur, me një tjetër në kërkim, me ministra të arrestuar. Ndaj them se Edi Rama ka kryer punë. Ai po mbron karrigen e tij. Ai po përpiqet të mbajë pushtetin me çdo formë, me çdo mënyrë, me kartelet e drogës, me njerëzit e tij, me pasuritë e të tjera”, komentoi ajo.
Kuçana dha një opinion edhe për ftesën e presidentit Donald Trump për kryeministrin Edi Rama në Bordin e Paqes, në takimin që do mbahet në SHBA. Ajo u shpreh se ftesa është për Shqipërinë dhe jo për Ramën.
“Sa për ftesën e Bordit të paqes ajo është ftesë për Shqipërinë”, u shpreh anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së.
