Lajme

Pas deklaratës për “spastrimin etnik”, Vuçiqi me pretendime të njëjta

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur pretendimin se Kosova është pjesë e Serbisë, duke ringjallur retorikën nacionaliste që minon përpjekjet për pajtim dhe stabilitet në rajon.

Vuçiqi i bëri këto deklarata gjatë ceremonisë së gradimit të disa ushtarakëve të rinj, ku foli për sigurinë dhe forcimin e ushtrisë serbe.

Ai tha se e dinte se çfarë lloj presionesh do të përballonin ushtarët e rinj dhe udhëheqja politike, duke theksuar se Serbia “nuk ka asgjë më të shenjtë dhe më të rëndësishme se atdheu”.

“Kosova dhe Metohia është pjesë e atij atdheu, si sipas Kushtetutës, ashtu edhe sipas drejtësisë së Zotit”, ka deklaruar Vuçiqi, përcjell Danas.

Deklarata e presidentit serb vjen vetëm disa ditë pasi ministrja për Kujdesin Familjar dhe Demografinë, Snežana Paunović, deklaroi se në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.

Këto deklarata janë kritikuar edhe nga portali evropian European Democrats.

“Vërejtje të tilla u dënuan gjerësisht anembanë Evropës, por nuk pasoi asnjë pasojë politike. Udhëheqja nuk përcaktohet vetëm nga pozicionet që merr, por edhe nga retorika që toleron dhe legjitimon”, shkroi European Democrats.

“Ballkanit Perëndimor i duhet një lidership i përgjegjshëm, i përkushtuar ndaj dialogut, pajtimit dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare. E ardhmja e tij evropiane nuk mund të ndërtohet mbi narrativa nacionaliste, por mbi besimin reciprok, llogaridhënien dhe vlerat e përbashkëta demokratike”, konsiderojnë ata.

Të Ngjashme