Lajme

Pas formimit të qeverisë së re, këta mund të jenë ministrat e rinj

 
   

Publicisti Idriz Zeqiraj vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 ishin rezultat i një bllokade të qëllimshme politike, të imponuar nga opozita, të cilën ai e cilëson si më destruktiven që ka pasur Kosova pas çlirimit.

“Zgjedhjet u imponuan nga një opozitë që për nëntë muaj me radhë bllokoi Kuvendin, Qeverinë dhe funksionimin normal të shtetit”, deklaron Zeqiraj, duke shtuar se përmes një fushate të orkestruar mediatike u tentua që fajësia për krizën t’i faturohej Lëvizjes Vetëvendosje dhe aleatëve të saj, Guxo dhe Alternativa.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës e dhanë verdiktin e tyre përmes votës së fshehtë më 28 dhjetor.

“Populli foli qartë. Ai i ndëshkoi subjektet politike në proporcion të drejtpërdrejtë me përgjegjësinë që kishin për bllokimin e Kuvendit, buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, thekson Zeqiraj.

Ai vlerëson se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe aleatëve të saj ishte me karakter referendumtar.

 Image
 Publicisti Idriz Zeqiraj 
 

“LVV-ja, Guxo, Alternativa dhe PSHDK-ja u shpërblyen me votë, sepse qytetarët nuk i konsideruan fajtorë për krizën. Opozita kërkonte ta fitonte në tavolinë atë që e humbi në kuti”, shprehet publicisti.

Zeqiraj thekson se zgjedhjet e 28 dhjetorit zhbllokuan krizën e nisur më 9 shkurt 2025 dhe krijuan kushtet për formimin e institucioneve të reja.

“Rezultati mbi 51 për qind i hap rrugë formimit të organeve të Kuvendit dhe Qeverisë Kurti 3, me mbështetjen e partnerëve të koalicionit dhe të komuniteteve joshumicë”, thotë ai.

Sipas Zeqirajt, nëse Qeveria Kurti 3 formohet pa përfshirjen e opozitës, ndarja e posteve ministrore do të jetë më e thjeshtë, ndërsa përbërja qeveritare pritet të mbetet pothuajse e pandryshuar në pozitat kyçe. Ai përmend se për postin e kryeministrit parashihet Albin Kurti, ndërsa Glauk Konjufca pritet të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Donikë Gërvalla parashihet të vazhdojë si zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, ndërsa Hekuran Murati në krye të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Besnik Bislimi përmendet për Ministrinë e Infrastrukturës, Mimoza Kusari-Lila për Tregti, Artane Rizvanolli për Energji dhe Miniera, ndërsa Xhelal Sveçla për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Sipas shkrimit, Ejup Maqedonci pritet të udhëheqë Ministrinë e Mbrojtjes, Arben Vitia Shëndetësinë, Avni Zogiani Arsimin, Shkencën dhe Teknologjinë, Armend Muja Bujqësinë dhe Pylltarinë, ndërsa Fatmir Spahiu Kulturën dhe Rininë. Fitore Pacolli përmendet për Ministrinë e Mjedisit, Andin Hoti për Ministrinë për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Nenad Rashiq për Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, Lulëzon Jaxhiu për Administratë Publike, Blerim Gashani për Sport dhe Rini, si dhe Shejnur Vejshelli për Zhvillim Rajonal.

Sa i përket zgjedhjes së Presidentit, Zeqiraj thekson se ky proces kërkon bashkëpunim politik.

“Zgjedhja e Presidentit kërkon vota shtesë dhe marrëveshje politike, të paktën me një parti nga opozita”, thotë ai, duke shtuar se Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, “i ka përmbushur të gjitha standardet kushtetuese dhe politike të mandatit të saj”.

Në këtë kontekst, Zeqiraj citon deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka bërë të ditur se “fillimisht do të konstituohet Kuvendi dhe do të formohet Qeveria, ndërsa më pas do të vijë në rend zgjedhja e Presidentit”.

Ndërkohë, zëvendëskryeministren Donikë Gërvalla ai e ka cituar se koalicioni fitues ka mandat të qartë nga qytetarët.

“Elektorati na ka dhënë besimin për të qeverisur të vetëm dhe ne duhet ta respektojmë vullnetin e shumicës”.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme