Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pas numërimit të votave, reagon Abdixhiku: Ne dalim faqebardhë, ditëve në vijim do të mblidhet kryesia

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rezultateve zgjedhore, duke falënderuar mbi 126 mijë qytetarë të Kosovës që i besuan LDK-së votën e tyre, ndërsa ka pranuar se rezultati nuk ishte ai që partia kishte pritur.

Ai theksoi se, ndonëse rezultati ishte zhgënjyes për LDK-në, vendimi i qytetarëve duhet respektuar pa asnjë rezervë dhe se ky subjekt nuk i shmanget përgjegjësisë dhe reflektimit, duke e cilësuar këtë si dallim thelbësor të partisë që drejton.

Moneytizer Paragrafi 2

“Nuk është e tepër të përsëritet se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritëm; larg madje. Por është verdikt i qytetarëve të vendit tonë dhe para tij përulemi me respekt të plotë”, u shpreh ai.

Duke iu referuar debateve të fundit brenda dhe jashtë partisë, Abdixhiku ka qenë i prerë se vendimmarrja për të ardhmen e LDK-së nuk do të bëhet përmes reagimeve emocionale apo presioneve publike.

Moneytizer Paragrafi 4

“LDK është parti institucionale. Çështjet tona nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale, e as në debate të çastit”, ka theksuar ai.

Sipas tij, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, do të mblidhet Kryesia e LDK-së dhe më pas do të organizohet Kuvendi i LDK-së, ku anëtarësia do të vendosë për drejtimin e mëtejmë të partisë.

Ky është postimi i tij i plotë:

Ju faleminderit!

Ju faleminderit nga zemra, të gjithë 126.102 qytetarëve të Kosovës që i besuan LDK-së në këto zgjedhje. Çdo votë e dhënë për ne është përgjegjësi, respekt dhe obligim për të ardhmen. Ju faleminderit për besimin, për durimin dhe për angazhimin në një garë të vështirë.

Nuk është e tepërt të përsëritet se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritëm; larg madje. Por është verdikt i qytetarëve të vendit tonë dhe para tij përulemi me respekt të plotë.

LDK e asnjë individ nuk i shmanget asnjë përgjegjësie dhe asnjë reflektimi; kjo na dallon. Dalim faqebardhë në secilin veprim tonin.

Por njëkohësisht, dua të jem i qartë: LDK është parti institucionale. Çështjet tona nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale, e as në debate të çastit. Pas certifikimit të rezultateve, sipas Statutit dhe traditës sonë demokratike, do të mblidhet Kryesia e LDK-së; dhe pas saj, siç kam paralajmëruar natën e zgjedhjeve, do të organizohet dhe Kuvendi i LDK-së, aty ku vendosë anëtarësia, e jo klithmat e interesave të ngushta. Në Kuvend, në organet legjitime të partisë, nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së. Aty do të trajtohen të gjitha çështjet politike, organizative dhe vendimmarrëse – mbi të gjitha të përgjegjësisë dhe të vizioneve tutje përpara.

Kjo është mënyra jonë. Kjo ka qenë gjithmonë LDK-ja: përgjegjësi, maturi, rend institucional dhe respekt për demokracinë e brendshme.

Një fjalë të drejtpërdrejtë kam dhe për ata që sot po e godasin LDK-në nga jashtë: qëllimet e tyre nuk kanë qenë kurrë të mira, as për LDK-në e as për arritjen e një rezultati më të mirë zgjedhor. LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK është më e madhe se çdo individ, por edhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë. Ne do ta bëjmë fatin tonë, me qetësi, me ndershmëri dhe me përgjegjësi; siç i ka hije kësaj shtëpie politike e cila nuk braktiset e as nuk goditet në ditët e saja më të vështira.

Faleminderit secilit që na votoi, na mbështeti dhe na qëndroi pranë. Besimi juaj mbetet detyrimi ynë më i madh.

Lumiri