Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Politik

Pas përfundimit të numërimit të votave, ja kur formohen institucionet e reja

 
   

Ka përfunduar numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi me postë, jashtë Kosovës, duke shënuar kështu mbylljen e plotë të procesit të numërimit të të gjitha votave nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Me përmbylljen e këtij procesi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i gatshëm të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Megjithatë, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike kanë të drejtë të paraqesin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me administrimin e numërimit në Qendrat e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se tashmë ky institucion është i gatshëm të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, nga ana teknike KQZ është e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Megjithatë, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, theksoi ai.

Ndërsa, të premten në orën 02:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi me postë, jashtë Kosovës.

Gjithë procesi i numërimi të votave të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit u krye brenda 12 ditësh, e kjo sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tregon kohë të shpejt dhe efikase të KQZ-së në përmbyllje të këtij procesi.

“Numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Përfundimi i krejt këtij procesi vjen vetëm 12 ditë pas ditës së zgjedhjeve, përbën një kohë shumë të shpejtë dhe efikase të përmbylljes së procesit të numërimit”, u shpreh Elezi.

Sipas rezultateve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 51.11 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 20.19 për qind të votave, që i sigurojnë 22 ulëse, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 13.23 për qind, apo 15 ulëse. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.5 për qind të votave, duke siguruar 6 ulëse.

Ndërkohë, subjektet politike nga radhët e komuniteteve jo-shumicë do të kenë gjithsej 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Si janë procedurat e mëtutjeshme për formimin e institucioneve të reja?

Hapat pas numërimit të plotë të votave

Avokati Ardian Bajraktari, ka treguar për hapat që duhet të ndiqen pas përfundimit të numërimit të plotë të votave.

“Fillimisht duhet thënë që procesi zgjedhore ka shkuar shumë mirë, e po ashtu edhe numërimi i votave si për subjektet politike po ashtu edhe për kandidatë është përmbyllë shpejt. Referuar Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, nga momenti i publikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, palët kanë të drejtë që brenda afatit prej 48 orëve të paraqesin ankesë në Panelin Zgjedhor në Ankesa dhe Parashtresa, e ku ky i fundit duhet të vendosë brenda afatit prej 96 orëve nga parashtrimi i ankesës. Nëse palët janë ta pakënaqura me vendimin e PZAP-it, ata mund t’i drejtohen Gjykatës Supreme, po ashtu brenda afatit prej 48 orëve nga pranimi i vendimit të PZAP-së, ndërsa kjo e fundit duhet të vendosë brenda pesë (5) ditësh nga paraqitja e ankesës”, deklaron Bajraktari.

 Image
 Ardian Bajraktari 
 

Sipas tij, gjatë muajit shkurt mund të ketë institucione të reja.

“Pas përfundimit të këtyre hapave, ose pasi që KQZ-ja të jetë siguruar që nuk ka asnjë ankesë në shqyrtim nga këto dy institucione, e njëjta mund t’i certifikoi zgjedhjet, prej nga ku edhe fillon me rrjedhë afati prej 30 ditëve, sipas të cilit Presidenti/ja obligohet ta thërras seancën konsitutuive të Kuvendit. Pra sipas kësaj dinamike, besoj se gjatë muajit shkurt mund t’i kemi të themeluara institucionet e reja të legjislaturës së dhjetë”, shton avokati.

Në anën tjetër, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) njoftoi të premten vonë se ka hedhur poshtë si të paafatshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për shfuqizimin e rreth 20.000 fletëvotimeve të dërguara përmes postës nga mërgata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

PDK-ja, e cila doli e dyta në këto zgjedhje, kishte kërkuar të enjten që këto vota të shpalleshin të pavlefshme, duke pretenduar se ato ishin pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pas afatit ligjor të lejuar.

Në një njoftim zyrtar, PZAP-ja bëri të ditur se ankesa e PDK-së është dorëzuar jashtë afatit ligjor prej 48 orësh, të paraparë për paraqitjen e ankesave, dhe për këtë arsye paneli nuk do ta shqyrtojë atë. Sipas PZAP-së, ankesa është dorëzuar më 8 janar 2026, ndërsa shkeljet e supozuara, sipas ankuesit, kanë ndodhur më 2 dhe 5 janar 2026.

“Paneli ka vlerësuar se ankesa është parashtruar pas afatit ligjor, sipas nenit 119, paragrafi 1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton se afati për dorëzimin e ankesës është 48 orë nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, thuhet në njoftim.

PDK-ja kishte pretenduar se KQZ-ja kishte pranuar rreth 20.000 fletëvotime më 2 dhe 5 janar, disa ditë pas afatit të lejuar ligjor për pranimin e votave të dërguara me postë nga jashtë vendit për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas Ligjit të Kosovës për Zgjedhjet, fletëvotimet e tilla mund të pranohen më së largu deri në orën 16:00 të ditës pas mbajtjes së zgjedhjeve.

“Institucionet e reja që në javën e tretë të janarit”

Avokati Arbër Jashari, thotë se situata tashmë është e qartë, Kuvendi do të konstituohet brenda 30 ditëve nga dita e certifikimit të rezultateve zgjedhore.

 Image
 Arbër Jashari 
 

“Zakonisht, procedurat e ankesave në PZAP dhe në Gjykatën Supreme mund të zgjasin disa ditë, por ato nuk kanë efekt në zvarritjen e krijimit të institucioneve. Ndryshe nga hera e kaluar, tashmë situata është e qartë: Kuvendi do të konstituohet brenda 30 ditëve nga dita e certifikimit të rezultateve zgjedhore”, shprehet Jashari për “Bota sot”.

Ai nuk përjashton mundësinë që Kosova t’i ketë institucionet e reja, që në javën e tretë të janarit.

“Pres që menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve të konstituohet Kuvendi dhe që brenda së njëjtës seancë të votohet edhe Qeveria. E gjithë kjo pritet të ndodhë brenda muajit janar. Nuk e përjashtoj mundësinë që Kosova t’i ketë institucionet e reja, të dala nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, që në javën e tretë të janarit”, shton avokati.