Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se SHBA-ja ose do ta mbajë ose do ta shes naftën bruto të sekuestruar nga brigjet e Venezuelës, si dhe vet anijet.
Trump duke folur para reporterëve të hënën tha për naftën se “ne do ta mbajmë atë”, duke shtuar se: “Ndoshta do ta shesim, ndoshta do ta mbajmë atë. Ndoshta do ta përdorim për rezervat strategjike. Ne do t’i mbajmë anijet poashtu.”
Trump poashtu përsëriti se SHBA-ja ka ndërmend të godas objektiva edhe në tokë.
“Do të fillojmë të njëjtin program në tokë. Nëse duan të vijnë nga toka, do të përfundojnë duke pasur një problem të madh. Do të bëhen copë-copë, sepse nuk duam që njerëzit tanë të helmohen”, tha ai, citon BBC.
Duke folur në televizionin shtetëror, Maduro iu përgjigj Trump duke thënë: “Ai do të ishte më mirë në vendin e tij duke u marrë me çështjet ekonomike dhe sociale dhe bota do të ishte më mirë nëse ai do të përqendrohej në punët e vendit të tij”.
Administrata Trump ka akuzuar Venezuelën se ka përdorë naftën për të financuar krimet e lidhura me drogën, ndërsa Karakasi e ka dënuar grabitjen si “pirateri”.
Ushtria amerikane ka sekuestruar dy cisterna nafte këtë muaj , përfshirë një të shtunën.
Kurse të hënën, ushtria amerikane tha se kreu një sulm ndaj asaj që e quajti një anije të dyshuar për trafikim droge në ujërat ndërkombëtare në Paqësorin lindor. Komanda Jugore e SHBA-së tha se një person u vra.
SHBA-të kanë rritur praninë e tyre ushtarake në Detet e Paqësorit dhe Karaibeve dhe kanë kryer sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara venezueliane që kontrabandonin drogë, duke vrarë rreth 100 persona.
Nuk ka dhënë asnjë provë publike se këto anije transportonin drogë dhe ushtria është vënë nën shqyrtim gjithnjë e më të madh nga Kongresi për shkak të sulmeve.
Me kërkesë të Venezuelës, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një seancë urgjente të martën për të diskutuar atë që qeveria e ka përshkruar si “agresion të vazhdueshëm të SHBA-së”.

