Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thirrur mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, e cila pritet të mbahet të hënën në ora 11:00.
Lajmi është konfirmuar për median nga Zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës, ndërsa në këtë mbledhje pritet të shqyrtohen gjithsej 14 pika të rendit të ditës.
Thirrja e kësaj mbledhjeje vjen një ditë pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, që ka ndikuar në zhvillimet politike në vend.
Ligjvënësit në Kosovë kanë mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi gjykata më e lartë në vend e rrëzoi të mërkurën një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit në një seancë më 5 mars.
Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik. Nga Presidenca e Kosovës e mirëpritën vendimin dhe thanë se është konstatuar se Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit të nxjerrë më 6 mars, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga sot kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet.
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbali të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,
2. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:
Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
Deklarimet jashtë rendit të ditës,
Pyetjet parlamentare,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-008 për Ratifikimin e Marrëveshjes për qasje në Arsimin e Lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-009 për Ratifikimin e Amendamentit “nr.3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018“,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-010 për Ratifikimin e “Amendamentit nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017“,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-011 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-012 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e Përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-013 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë “ Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-014 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”,
Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarura të Mediave,
Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë nga radhët e komunitetit shqiptar dhe për dy (2) anëtarë jo shumicë në Komisionin e Pavarura të Mediave,
Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për gjashtë (6) anëtarë nga komuniteti shqiptar, një (1) anëtar nga komuniteti serb dhe një (1) antar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës,
Propozimi i GP të Listës Serbe për emërimin e deputetit Branislav Nikoliq në komisione parlamentare.
3. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.
