Lajme

Pas zgjedhjes së Shiroka-Pulës, Aliçkaj kërkon reforma kushtetuese: Presidenti të votohet nga populli

Drejtori Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, e ka cilësuar zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të Republikës së Kosovës dhe miratimin e Projektligjit për Gjykatën Speciale si zhvillime të rëndësishme për vendin.

Aliçkaj ka vlerësuar se këto zhvillime shënojnë një moment të rëndësishëm për tejkalimin e krizës institucionale dhe kanë krijuar shpresë për një kthesë në zhvillimet politike në Kosovë.

“Zgjedhja e znj. Justina Shiroka-Pula Presidente e Republikës së Kosovës dhe miratimi i Projektligjit për Gjykatën Speciale nga Kuvendi i Kosovës, pas një periudhe të gjatë bllokadash të panevojshme institucionale, përbëjnë zhvillime madhore për shtetin dhe popullin e Kosovës.

Ishte ky një moment vendimtar për daljen nga kriza, përpara se vendi të rrëshqiste drejt një kaosi politik dhe institucional me pasoja të rënda. Zhvillimet e fundit, veçanërisht vendimi i kontestuar i Dhomave të Specializuara në Hagë lidhur me katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, duket se ndikuan në vetëdijesimin e faktorëve politikë për seriozitetin e situatës.

Më në fund, mbizotëruan zërat e arsyes dhe përgjegjësia shtetërore. Përpjekjeve të Serbisë dhe faktorëve të tjerë për destabilizimin dhe dobësimin e Kosovës iu dha një goditje e rëndësishme”, ka thënë ai.

Image
Agim Aliçkaj

Po ashtu, Aliçkaj ka vlerësuar edhe rolin e liderëve politikë në arritjen e kompromisit për tejkalimin e krizës institucionale.

“Meritë të veçantë për tejkalimin e krizës kanë Kryeministri Albin Kurti, Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe të gjithë ata që kontribuuan në arritjen e kompromisit. Ata dëshmuan se bashkëpunimi është i mundur kur interesi shtetëror vendoset mbi interesat personale dhe partiake.

Zhbllokimi i institucioneve përbën një hap të rëndësishëm drejt respektimit të vullnetit demokratik të popullit, të shprehur në tri procese zgjedhore, përmes të cilave qytetarët i dhanë besimin Kryeministrit Kurti dhe koalicionit të tij për një mandat të ri qeverisës.

Tani, populli pret me të drejtë rezultate konkrete: rritjen e mirëqenies, zhvillimin ekonomik, forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe konsolidimin e shtetit.

Populli e dha besimin me votë. Tani është radha e Qeverisë ta arsyetojë atë besim me punë dhe rezultate!”, ka vlerësuar ai.

Duke folur për rolin e presidentes së re, Aliçkaj ka theksuar se përvoja e saj profesionale dhe institucionale mund të kontribuojë në një qasje më bashkëpunuese të institucionit të Presidentit.

“Përvoja akademike, profesionale dhe institucionale e Presidentes Justina Shiroka-Pula krijon mundësi për një qasje të re, më bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse në udhëheqjen e institucionit të Presidentit.

Prioritetet e saj duhet të jenë forcimi i unitetit institucional, bashkëpunimi ndërmjet forcave politike dhe përfaqësimi dinjitoz ndërkombëtar i Kosovës.

Rëndësi të veçantë duhet t’i kushtojë forcimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin tonë kryesor strategjik, si dhe integrimit euroatlantik, anëtarësimit në NATO dhe sigurimit të njohjeve të reja ndërkombëtare”, ka potencuar ai.

Sipas Aliçkajt, presidentja duhet të ushtrojë rolin e saj në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të shërbejë si faktor dialogu ndërmjet subjekteve politike.

“Presidentja duhet të jetë Presidente e të gjithë qytetarëve, jo përfaqësuese e një partie politike. Ajo duhet të bashkëpunojë ngushtë me Qeverinë dhe Kuvendin, duke ruajtur pavarësinë kushtetuese dhe dinjitetin e institucionit.

Roli i saj në nxitjen e dialogut ndërmjet pozitës dhe opozitës mund të jetë shumë i rëndësishëm për parandalimin e krizave të ardhshme. Mospajtimet politike janë pjesë e demokracisë, por nuk duhet të shndërrohen në bllokada që paralizojnë shtetin”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Aliçkaj ka folur edhe për nevojën për ndryshime kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë që të shmangen situata të ngjashme të bllokimit institucional në të ardhmen.

“Nga kjo krizë duhet të nxjerrim një mësim jetik: Kosova ka nevojë për ndryshime kushtetuese dhe ligjore që do ta pamundësonin keqpërdorimin e zgjedhjes së Presidentit për bllokimin e institucioneve.

Sipas mendimit tim, zgjidhja më demokratike dhe më e qëndrueshme është zgjedhja e Presidentit drejtpërdrejt nga populli.

Nëse kjo nuk mund të realizohet së shpejti, duhet të shqyrtohet ndryshimi i rregullave dhe interpretimit kushtetues për kuorumin në zgjedhjen e Presidentit.

Interpretimin sipas të cilit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve edhe në raundin përfundimtar, kur për zgjedhjen e Presidentit kërkohen 61 vota, e konsideroj problematik. Ai krijon mundësi që mungesa e deputetëve të përdoret për bllokimin e shtetit. Këtë dukuri nuk do ta quaja demokratike, por “bllokadokratike”,”, ka deklaruar ai.

Më tej, Aliçkaj ka theksuar rëndësinë e funksionimit të institucioneve pas krijimit të shumicës parlamentare, duke nënvizuar edhe nevojën për respektimin e të drejtave të opozitës dhe komuniteteve joshumicë.

“Sigurimi i shumicës prej 61 deputetësh në Kuvend nuk është aspak i lehtë. Një forcë politike apo koalicion që e arrin këtë shumicë ka legjitimitetin për të qeverisur dhe duhet të ketë mundësi reale t’i ushtrojë përgjegjësitë kushtetuese.

Natyrisht, të drejtat e opozitës dhe komuniteteve joshumicë duhet të respektohen plotësisht, por ato nuk duhet të keqpërdoren për paralizimin e institucioneve. Çdo reformë duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe përmes procedurave demokratike”, ka theksuar ai.

Në fund, duke folur për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Aliçkaj ka sjellë edhe përvojën e tij në veprimtarinë shqiptaro-amerikane.

“Nga përvoja ime shumëvjeçare në veprimtarinë kombëtare shqiptaro-amerikane, përkrah Joe dhe Shirley DioGuardit, jam bindur se Kosova është më e fortë kur udhëheqësit e saj bashkëpunojnë dhe ruajnë marrëdhëniet e fuqishme me Amerikën.

Liria, pavarësia dhe shtetndërtimi i Kosovës kanë kërkuar sakrifica të jashtëzakonshme të popullit tonë dhe mbështetje vendimtare të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë. Askush nuk ka të drejtë ta rrezikojë të ardhmen e këtij shteti për interesa të ngushta politike.

Shpresoj që zgjedhja e Presidentes Shiroka-Pula dhe marrëveshja që mundësoi daljen nga kriza të shënojnë fillimin e një periudhe të re stabiliteti, bashkëpunimi dhe përparimi.

Kosova është më e rëndësishme se çdo individ dhe çdo parti politike. Interesi shtetëror dhe kombëtar duhet të mbizotërojë gjithmonë mbi interesat personale dhe partiake!

E lumtur dhe e lavdishme qoftë rruga jote, Kosova jonë Dardane!”, ka përfunduar Aliçkaj për “Bota sot”.

Të Ngjashme