Ministrja Fitore Pacolli ka njoftuar për një aksion për pastrimin e një deponie ilegale të mbeturinave në Prekazin e Epërm, duke e cilësuar si një nga deponitë më të mëdha ilegale në këtë zonë.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka thënë se aksioni është pjesë e fazës së dytë të pastrimit të deponive ilegale nëpër Kosovë.
Pacolli ka bërë të ditur se pas përfundimit të pastrimit, zona do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme përmes kamerave dhe dronëve.
Postim i plotë:
Toka e dëshmorëve nuk bëhet deponi mbeturinash!
këto ditë jemi në Prekaz të Epërm, ku po pastrojmë deponinë më të madhe ilegale të mbeturinave në këtë zonë. Ky aksion është pjesë e fazës së dytë për pastrimin e deponive anë e mbanë Kosovës.
Hedhja e mbeturinave pranë varrezave të dëshmorëve është e papranueshme. Kjo tregon mungesë të madhe respekti për ata që dhanë jetën për lirinë tonë. Ne nuk mund të themi se e duam atdheun, nëse e kthejmë atë në deponi bërlloku.
Pas pastrimit, e gjithë zona do të monitorohet vazhdimisht me kamera dhe dronë.
Kushdo që kapet duke hedhur mbeturina, do të gjobitet rreptësisht, pa asnjë përjashtim.
Ne do të vazhdojmë punën për ta pastruar çdo cep të vendit, sepse atdhe tjetër nuk kemi!
#atdhetjetërnukkemi!
