Lajme

PD-ja pas protestës në Maqedoninë e Veriut: Shqipja nuk negociohet

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Gazment Bardhi, reagoi pas protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe.

Bardhi ka theksuar se përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, duke e cilësuar atë si një e drejtë të fituar me gjak që nuk mund të negociohet.

“Mbështes plotësisht protestën legjitime të studentëve sepse gjuha është historia, është gjak, është kujtesa. Dhe një popull që detyrohet të kërkojë gjuhën e vet nuk ka problem gjuhe, ka problem drejtësie. Për secilin prej tyre gjuha shqipe është identitet.Shqipja nuk negociohet”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Qeverisë Shqiptare të ndërhyjë pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për të mbrojtur të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe për të ruajtur rrugën e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.

“Por, në çdo rast Republika e Shqipërisë e ka detyrim kushtetues që të mbrojë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”, ka përfunduar ai./teve1.info/

Të Ngjashme