Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​PDK: Mbrojtja e të akuzuarve në Hagë nuk po trajtohet në mënyrë të barabartë me prokurorinë

 
   

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur keqardhje për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes, nga Dhomave të Specializuara në Hagë, për largimin e një pjese të akuzave ndaj ish eprorëve të UÇK-së.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, tha se rrëzimi i mocionit të mbrojtjes të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, është humbje e rastit për të rikonfirmuar parimet mbi të cilat është themeluar Gjykata Speciale.

Ai në konferencë për media të mërkurën tha se vendimet e deritanishme dhe rregullorja e kësaj gjykate dëshmojnë se mbrojtja nuk trajtohet në mënyrë të barabartë me prokurorinë.

Gruda: Shprehim keqardhje të thellë ndaj vendimin të sotëm të Gjykatës Speciale

“Partia Demokratike e Kosovës, pa u futur në paragjykime për prapaskenat e këtij vendimi, shpreh keqardhje të thellë ndaj këtij vendimi për refuzimin e një pjesë të akuzës ndaj të akuzuarve në Hagë. Ky ishte një rast i humbur për të forcuar besimin në parimet themelore të drejtësisë që janë: objektivitetin, paanshmërinë dhe të vërtetën. Ky ishte një rast për të rikonformuar besimin në këto parime të rëndësishme mbi të cilat është themeluar Gjykata Speciale. Për neve është e papranueshme që asnjë kërkesë e mbrojtjes nuk merret parasysh, ndërkohë që gjykata dhe prokuroria veprojnë si një organ i vetëm. Kjo tregon qartë se nuk kemi barazi mes palëve në procedurë dhe vendimet e tanishme kanë dëshmuar qartazi se s’kemi të bëjmë me barazi midis prokurorisë dhe mbrojtjes”, tha ai.

Përkitazi me këtë, Gruda theksoi se të akuzuarit në Hagë janë të pafajshëm dhe se presim me besim të palëkundur vendimin përfundimtar për lirimin e tyre.

Gruda: Të akuzuarit në Hagë janë të pafajshëm

“Megjithatë, ne besojmë fuqishëm se drejtësia, sado që vonon, në fund gjithmonë mbështetet mbi të vërtetën. Dhe e vërteta në këtë rast është e pakontestueshme: Të akuzuarit në Hagë janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me besim të palëkundur vendimin përfundimtar për lirimin e tyre të plotë dhe të përhershëm”, theksoi deputeti Gruda.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë marrë vendim për rrëzimin e tërësishëm të mocionit të mbrojtjes së sh-eprorëve të UÇK-së përmes së cilit kërkohej largimi i disa akuzave nga aktakuza, që përfshinte periudhën për incidentet para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.

Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dorëzuan parashtrim të përbashkët duke kërkuar që akuzat për incidentet para kësaj periudhe kohore [para majit ’98 dhe pas 20 qershorit ‘99] të largohen nga aktakuza pasi që të njëjtat bien jashtë periudhës së luftës.

“Ajo çfarë kundërshton mbrojtja nuk është një akuzë por është pjesë e një akuzë në formën e fakteve materiale të caktuara që përbëjnë pikat në aktakuzë”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, në seancën e mbajtur në Hagë më 16 korrik.