Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin shpallen antikushtetues 13 ligje të miratuara nga Qeveria Kurti më 5 dhjetor 2024, ligje këto të kontestuara nga deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së.
PDK thotë se ky vendim përbën një konfirmim të qartë institucional se “shumica qeverisëse ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve, rolin kushtetues të deputetit, Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, si dhe funksionimin e komisioneve parlamentare”.
“Aktgjykimi dëshmon se procedurat parlamentare janë përdorur si instrument force politike dhe jo si mekanizëm demokratik i vendimmarrjes”, tha PDK në një reagim dërguar mediave.
Sipas kësaj partie, “konstatimet e Gjykatës Kushtetuese nxjerrin në pah rëndësinë e veprimit opozitar të përgjegjshëm të PDK-së, e cila ka zgjedhur rrugën institucionale për të mbrojtur rendin kushtetues përballë një qeverisjeje që ka shfaqur prirje të vazhdueshme antikushtetuese dhe përqendrim të kundërligjshëm të pushtetit”.

