
Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) u miratua një deklaratë politike që pasqyron qëndrimin zyrtar të partisë ndaj zhvillimeve më të fundit politike dhe institucionale në vend.
PDK e cilëson veten si forcë shtetformuese e cila, sipas deklaratës, mbetet e përkushtuar në shërbim të interesit publik dhe qytetarëve të Kosovës, veçanërisht në kohë sfiduese si kjo që po kalon vendi.
Partia deklaroi se synon të mbetet faktor stabiliteti, bartëse e vizionit për të ardhmen dhe zë i qytetarëve që kërkojnë zhvillim dhe dinjitet.
Në deklaratë, PDK falënderoi qytetarët për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe vlerësoi rritjen e elektoratit me rreth 200 mijë vota si dëshmi të fuqizimit të saj politik. Përkrahja e marrë, sipas partisë, është motivim për të ecur përpara me përgjegjësi dhe përkushtim drejt ndërtimit të një shteti të zhvilluar dhe demokratik.
PDK kritikoi ashpër situatën aktuale politike, duke e quajtur bllokadë të qëllimshme nga koalicioni që doli i pari në zgjedhje.
“Mbi 100 ditë pas zgjedhjeve, mungesa e institucioneve të reja ka krijuar pasiguri politike dhe sociale”.
PDK deklaroi se ka ndërmarrë hapa konstruktivë për të ndihmuar zhbllokimin e situatës, përfshirë propozimin për ndryshimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, takime me aktorët politikë dhe pjesëmarrjen në takimin konsultativ të ftuar nga Presidentja më 15 maj.
Partia kërkoi urgjentisht konstituimin e Kuvendit dhe nisjen e afateve kushtetuese për formimin e Qeverisë së re, duke i bërë thirrje koalicionit fitues për reflektim dhe përmbushje të përgjegjësive institucionale.
Në deklaratë, PDK thekson nevojën për krijimin e një qeverie të re me përgjegjësi, profesionalizëm dhe ide të qarta, duke propozuar që ajo të përbëhet nga partitë që deri më 9 shkurt ishin në opozitë. Prioritetet e një qeverie të tillë, sipas PDK-së, duhet të jenë rimëkëmbja ekonomike, përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve, forcimi i sigurisë dhe integrimi euroatlantik i vendit.
PDK bëri të ditur se ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale, me synimin për të ruajtur dhe rritur rezultatet e arritura në vitin 2021.
Kryetari dhe Kryesia e partisë janë mandatuar të fillojnë organizimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komunash. Sipas deklaratës, kandidatët do të jenë bartës të vizionit për qeverisje të mirë dhe zhvillim lokal.
Partia Demokratike shprehu shqetësim për vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë që refuzuan kërkesat për mbrojtje në liri të Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
PDK e cilësoi këtë vendim si shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe trajtim të padrejtë e arbitrar.
Sipas partisë, mbajtja në paraburgim për më shumë se katër vjet e të akuzuarve pa një vendim përfundimtar është e papranueshme dhe minon besimin në drejtësinë ndërkombëtare.
PDK i bëri thirrje Dhomave të Specializuara që të rishikojnë qasjen e tyre, të respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të veprojnë në përputhje me parimet e drejtësisë dhe barazisë.