Lajme

PDK për ftesën e Kurtit: Të respektohet procesi institucional dhe të pritet vendimi i Kushtetueses

Partia Demokratike e Kosovës e ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit.

Në njoftimin dërguar mediave, kjo parti tha se megjithatë, “në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”.

“Partia Demokratike e Kosovës beson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend”, u tha në reagimin e kësaj partie.

Të Ngjashme