Shtetet e Bashkuara të Amerikës planifikojnë ta transmetojnë drejtpërdrejt ekzekutimin me pushkatim të ish-majorit të Ushtrisë amerikane, Nidal Hasan, i cili vrau 13 ushtarë të paarmatosur në vitin 2009.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka konfirmuar se ekzekutimi, i planifikuar për 3 dhjetor në bazën ushtarake Fort Hood në Teksas, do të jetë i hapur për publikun, transmeton BBC.
Sipas BBC-së, ky pritet të jetë ekzekutimi i parë publik në SHBA pas pothuajse 1 shekulli, si dhe ekzekutimi i parë ushtarak në më shumë se 60 vjet.
“Do të sigurohemi që njerëzit të kenë mundësi ta shikojnë, që ekzekutimi të jetë publik. Njerëzit duhet ta kuptojnë se veprime të tilla kanë pasoja serioze”, ka deklaruar Hegseth.
Ai ka thënë se Hasani do të ekzekutohet nga një skuadër pushkatimi e përbërë nga ushtarë amerikanë.
I pyetur nëse i dënuari kishte paraqitur ndonjë kërkesë të fundit apo kishte kontaktuar presidentin Donald Trump, Hegseth është përgjigjur shkurt: “Nuk më intereson. Do ta shohim më 3 dhjetor”.
Pentagoni ka njoftuar se presidenti Trump ka miratuar rekomandimin e sekretarit të Mbrojtjes për ekzekutimin.
Hasan, ish-psikiatër i Ushtrisë amerikane, kishte vrarë 13 ushtarë të paarmatosur në një ndërtesë mjekësore në bazën Fort Hood në vitin 2009.
Gjatë procesit gjyqësor ushtarak në vitin 2013, ai kishte pranuar autorësinë e sulmit, duke deklaruar se besonte se po mbronte myslimanët dhe talebanët në Afganistan.
Megjithatë, realizimi i ekzekutimit më 3 dhjetor mbetet i pasigurt për shkak të procedurave ligjore që ende nuk kanë përfunduar.
Avokati John Mills ka deklaruar për BBC-në se Hasani mund të kërkojë rishqyrtimin e dënimit në gjykatat federale, gjë që mund ta pezullojë ekzekutimin.
Ai e ka cilësuar vendimin për transmetimin e drejtpërdrejtë si të paprecedentë në kohët moderne dhe juridikisht të diskutueshëm.
Edhe ligjëruesi i Universitetit Yale, Eugene R. Fidell, e ka kritikuar këtë vendim, duke e krahasuar transmetimin publik të ekzekutimeve me praktikat e Mesjetës.
Sipas tij, procedurat gjyqësore mund të zgjasin me vite, madje edhe përtej mandatit të presidentit Trump.
Të dhënat e organizatës Amnesty International tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 11 ekzekutime publike në Iran dhe 6 në Afganistan.
