Lifestyle

Për duart e thata ky veprim pas larjes ju ndihmon t’i keni gjithmonë të buta

Duart e thata pas larjes shfaqen kryesisht sepse nga lëkura largohen vajrat natyrale që e mbrojnë atë.

Përdorimi i ujit të vakët dhe i sapunit hidratues e zvogëlon tharjen e lëkurës, ndërsa edhe mënyra se si thahen duart ndikon ndjeshëm në gjendjen e saj.

Larja e rregullt e duarve është një nga masat më efektive për mbrojtje nga infeksione të ndryshme.

Megjithatë, ekspozimi i shpeshtë ndaj ujit dhe sapunëve e dëmton barrierën natyrale mbrojtëse të lëkurës, gjë që çon në tharje, çarje dhe ndjesi parehatie.

Dermatologia dr. Melisa Piliang shpjegon pse lëkura e duarve thahet, çfarë ndryshimesh ndodhin gjatë larjes dhe cilat masa ndihmojnë në ruajtjen e butësisë dhe shëndetit të saj.

Pse thahen duart pas larjes

Irritimi dhe tharja e lëkurës së duarve pas larjes janë problem i shpeshtë. Shkaku më i zakonshëm është largimi i vajrave natyrale dhe lagështisë nga sipërfaqja e lëkurës gjatë procesit të larjes, çka dëmton barrierën e saj mbrojtëse. Në tharjen e lëkurës së duarve ndikojnë disa faktorë:

Sapuni: Shumica e sapunëve për larjen e duarve janë të formuluar për të larguar papastërtitë, bakteret dhe yndyrën. Edhe pse kjo është e domosdoshme për higjienën, njëkohësisht çon në largimin e lipideve natyrale të lëkurës, duke e bërë atë të thatë dhe më pak elastike. Disa produkte përmbajnë përbërës agresivë, si natrium-lauril-sulfati, që e përkeqësojnë më tej tharjen.

Temperatura e ujit: Larja e duarve me ujë shumë të ngrohtë ose të nxehtë përshpejton humbjen e lagështisë nga lëkura. Temperatura e lartë mund të dëmtojë barrierën lipidike, shtresën mbrojtëse që ndodhet në sipërfaqe të lëkurës dhe ruan lagështinë. Ndryshe nga kjo, uji i vakët ose i ftohtë ka ndikim shumë më të vogël në dëmtimin e saj.

Larja e shpeshtë e duarve: Larja e shpeshtë, veçanërisht pa hidratim të mëvonshëm, mund të çojë në tharje kronike. Ky problem është veçanërisht i theksuar te punonjësit shëndetësorë dhe te personat që, për shkak të profesionit, duhet të ruajnë vazhdimisht higjienën e duarve.

Sëmundjet e lëkurës: Personat me sëmundje të lëkurës, si ekzema ose psoriaza, janë më të prirur ndaj tharjes dhe irritimit të lëkurës së duarve. Tek ata, larja e duarve me sapunë të caktuar ose në temperatura më të larta mund të përkeqësojë simptomat, ndaj shpesh rekomandohet përdorimi i mjeteve të buta për larje dhe preparateve hidratuese të formuluara posaçërisht.

A është dezinfektuesi i duarve më pak agresiv për lëkurën?

Shpesh dëgjohet se dezinfektuesit e duarve janë një alternativë më e butë krahasuar me larjen me sapun dhe ujë.

Megjithatë, kjo nuk është plotësisht e saktë.

Edhe pse përdorimi i tyre nuk nënkupton kontakt me ujë të nxehtë ose sapunë, dezinfektuesit e duarve nuk janë zëvendësim i përshtatshëm për larjen klasike.

Për më tepër, për shkak të përmbajtjes së lartë të alkoolit, ata mund ta thajnë dhe irritojnë edhe më shumë lëkurën, shpjegon dr. Piliang.

Për të zvogëluar efektet negative të dezinfektuesve dhe për të ruajtur funksionin mbrojtës të lëkurës, rekomandohen këto masa:

Aplikimi i kremit hidratues pasi dezinfektuesi të jetë tharë plotësisht.

Kufizimi i përdorimit të dezinfektuesve vetëm në situata kur sapuni dhe uji nuk janë të disponueshëm.

Larja e duarve me sapun dhe ujë kur ato janë dukshëm të ndotura.

Pesë këshilla për parandalimin dhe kujdesin ndaj lëkurës së thatë të duarve për shkak të larjes së shpeshtë

Lëkura e thatë e duarve është një shqetësim i përditshëm, sidomos kur larja e shpeshtë është e domosdoshme.

Megjithatë, ekzistojnë mënyra efektive për të zvogëluar irritimin dhe për të lehtësuar tharjen, pa cenuar higjienën.

Pesë rekomandimet e mëposhtme mund të ndihmojnë në minimizimin e efekteve negative mbi lëkurën.

Shmangia e ujit të nxehtë

Edhe pse nuk është e nevojshme përdorimi i ujit të ftohtë, larja e duarve me ujë të nxehtë i than dhe i irriton ato edhe më shumë. Përpiquni ta ulni temperaturën e ujit gjatë larjes së duarve, madje edhe gjatë dushit, për të shmangur tharjen dhe irritimin. Uji i nxehtë largon vajrat e shëndetshëm nga lëkura, thekson dr. Piliang. I njëjti parim vlen edhe për aktivitete të tjera higjienike, si larja e enëve. Ndryshe nga uji i nxehtë, uji i vakët mund të jetë pikërisht ajo që i nevojitet lëkurës për të shmangur tharjen.

Zgjedhja e sapunit hidratues

Disa sapunë përmbajnë përbërës hidratues që janë më të butë për lëkurën dhe ndihmojnë në parandalimin e tharjes. Është më mirë të përdoret sapun hidratues dhe duart të shpëlahen mirë pas larjes këshillon dr. Piliang, duke rekomanduar që gjatë zgjedhjes së sapunit të butë të kihet parasysh prania e këtyre përbërësve: gjalpa shea, jojoba, ceramidet, acidi hialuronik.

Hidratimi i lëkurës pas larjes

Aplikimi i kremit hidratues menjëherë pas larjes është një nga mënyrat më efektive për ruajtjen e butësisë dhe elasticitetit të lëkurës së duarve. Pas larjes rekomandohet përdorimi i losioneve ose kremrave që ndihmojnë në mbajtjen e lagështisë në lëkurë. Duhet t’u jepet përparësi preparateve pa aromë, pasi ka më pak gjasa të shkaktojnë irritim shtesë, rekomandon dr. Piliang.

Përdorimi i balsameve ose pomadave

Te personat e prirur ndaj lëkurës shumë të thatë, losionet shpesh nuk janë të mjaftueshme. Në këto raste rekomandohet përdorimi i formulimeve më të trasha, si kremra të pasur, balsame ose pomada. Këto preparate kanë fuqi më të madhe okluzive, përthithen më ngadalë dhe e mbajnë lagështinë më gjatë në lëkurë, duke ndihmuar në rigjenerimin dhe mbrojtjen e saj.

Dorëza mbrojtëse dhe kujdes shtesë

Për të zvogëluar ekspozimin e panevojshëm të lëkurës së duarve ndaj ujit dhe mjeteve pastruese, rekomandohet përdorimi i dorëzave mbrojtëse gjatë larjes së enëve ose kryerjes së punëve shtëpiake, sidomos te personat me lëkurë shumë të thatë. Për më tepër, përdorimi i lagështuesit të ajrit gjatë natës mund të rrisë lagështinë e ambientit, gjë që ndikon pozitivisht në gjendjen e lëkurës. Kjo qasje ndihmon në ruajtjen e shëndetit të lëkurës së duarve gjatë gjithë ditës dhe e zvogëlon ndjeshmërinë e saj ndaj larjes së shpeshtë, këshillon dr. Piliang.



Të Ngjashme