Lajme

Për thellim bashkëpunimi të agjencive të mbikëqyrjes policore të Kosovës dhe Shqipërisë

Për thellim bashkëpunimi të agjencive të mbikëqyrjes policore të Kosovës dhe Shqipërisë

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj priti në takim drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të Shqipërisë, Eduard Merkaj së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

Takimi i përbashkët ndërmjet delegacioneve të agjencive mbikëqyrëse policore të dy vendeve u mbajt në objektin e Inspektorati Policor i Kosovës në Hajvali.

“Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i mirëfilltë dhe i qëndrueshëm ndërmjet dy agjencive homologe, duke u theksuar rezultatet konkrete të arritura deri më tani. Në veçanti u përmend realizimi i disa hetimeve dhe inspektimeve të përbashkëta , hartimi i raporteve të përbashkëta të inspektimit të cilat me rekomandimet e tyre kanë ndikuar në forcimin e integritetit, llogaridhënies dhe profesionalizmit të strukturave policore të të dy vendeve.

Palët diskutuan gjithashtu për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në të ardhmen e afërt, përfshirë organizimin e inspektimeve të reja të përbashkëta, shkëmbimin e praktikave më të mira, koordinimin dhe harmonizimin e qasjeve në fushën e mbikëqyrjes policore.

Kryeshefi Hodaj falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm të AMP-së për bashkëpunimin e deritanishëm, duke shprehur gatishmërinë e plotë për vazhdimin dhe intensifikimin e aktiviteteve të përbashkëta, me synim ngritjen e mëtejshme të standardeve të mbikëqyrjes dhe forcimin e besimit të qytetarëve në policitë e dy vendeve.

Bashkëpunimi ndërmjet dy agjencive të mbikëqyrjes policore përbën një element të rëndësishëm në konsolidimin e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies që si synim të përbashkët e kanë fuqizimin e integritetit dhe profesionalizimit të policive të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Policor.

Të Ngjashme