Lajme

​Përfaqësues të Moto-klubit të veteranëve të UÇK-së bëjnë homazhe në Prekaz

Në shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Kompleksin Memorial në Prekaz ishin edhe përfaqësues të Moto- klubit të veteranëve të UÇK-së. Ata kanë bërë homazhe në nderim të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

Zëdhënësi i Moto-klubit të veteranëve të UÇK-së, Agron Kajtazi, tha se 5 marsi përfaqëson fillimin e luftës çlirimtare dhe sakrificën që çoi drejt lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.

Kajtazi: 5 Marsi përfaqëson fillimin e luftës çlirimtare dhe sakrificën që çoi drejt lirisë dhe shtetësisë së Kosovës

“Pesë Marsi është flakadani i parë i luftës çlirimtare. Rënia e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, sublimimi i së cilës është vetë liria e popullit dhe është vetë shtetësia jonë si Kosovë. Ky është 5, 6 dhe 7 Marsi. Është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, epope e cila shpërndau flakadanët nga Prekazi në të gjithë anët e Kosovës deri në çlirim, ku për këtë amanet, për këtë nismë edhe për këtë flakadan ranë mijëra dëshmorë, mijëra martirë dhe shumë luftëtarë gjithandej trojeve shqiptare iu bashkëngjitën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në çlirimin e plotë të shtetit tonë dhe popullit tonë”, tha Kajtazi.

Ai tha se Moto klubi i veteranëve të UÇK-së organizon çdo vit aktivitete dhe vizita në Prekaz për të përkujtuar këtë ngjarje historike.

Kajtazi: Organizojmë çdo vit aktivitete dhe vizita në Prekaz për të përkujtuar këtë ngjarje historike

“Organizimet e Moto Klubit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë në vazhdimësi për rreth shtatë vjet. Do të thotë ne që shtatë vjet që jemi si klub i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës organizojmë në vazhdimësi këtë rrugë më 5 Mars, kjo që simbolizon fillimin e luftimeve që ndodhën pikërisht pranë komandantit legjendar apo te familja Jashari”.

Duke folur për emocionet që zgjon vizita në Prekaz në këtë datë të shënuar, Kajtazi tha se ato janë të veçanta për ish-luftëtarët e UÇK-së.

Kajtazi: Emocionet janë goxha

“Emocionet janë goxha… Ne si luftëtarë kur e shohim këtë, gjithë këtë thirrje të fëmijëve, të nxënësve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës na bën të ndihemi shumë mirë, na bën krenarë që dje kishim mundësi të marrim armët të luftojmë për ta dhe sot të jetojmë të lirë në vendin tonë, në atdheun tonë, duke kujtuar dhe nderuar gjithmonë rënien e komandantit legjendar dhe të gjithë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe dëshmorët e martirët ndër breza që kanë rënë për çlirim dhe shtetësinë tonë të Kosovës”.

Në lidhje me propozimin që Murat Jashari të kandidohet për president, Kajtazi tha se ky është një propozim i mirë, por vendimi i takon vetë atij.

Kajtazi: Murat Jashari-president, është propozim i mirë, është vendim i tij që të mos jetë i involvuar në procese politike

“Mendoj që është propozim i mirë, është privilegj i madh të jesh president i Republikës së Kosovës, por vendimet janë të tij, nuk varen ato prej nesh. Mendoj që është propozim i mirë, megjithatë është vendim i tij që të mos jetë i involvuar në procese politike. Është krejtësisht normale nëse do apo nëse s’do. Për mua është privilegj”, tha Kajtazi.

Të Ngjashme