Ka përfunduar protesta gati dy orëshe e qytetarëve serb. Protestuesit u shpërndanë të qetë dhe nuk u raportua për ndonjë incident, kurse qarkullimi i automjeteve në këtë pikë kalimi ka nisur normalisht pas bllokadës.
Numër i vogël serbësh protestojnë afër Jarinjës, mbyllet qarkullimi
Në pikën kufitare në Jarinjë në anën e Serbisë ka nisur protesta e thirrur nga serbët, mirëpo aty shihet një numër i vogël protestuesish.
Për këtë arsye është mbyllur qarkullimi i veturave në këtë pikë kufitare për orët sa është planifikuar të zgjasë kjo protestë.
Kjo protestë nga serbët është thirrur si formë kundërshtimi ndaj vendimit të Republikës së Kosovës për të nisur zbatimin e dy ligjeve, atij për të Huajt dhe atij për Automjete.
Gazetarja e RTK-së e cila gjendet në vendin e ngjarjes ka treguar se në vëzhgim të situatës shihen edhe pjesëtarë të KFOR-it dhe Eulexit.
Për këtë çështje një ditë më parë institucionet u bënë thirrje shtetasve kosovarë që të shmangin këtë pikë kufitare.
“Ju njoftojmë se nesër, më datë 14.03.2026, është paralajmëruar mbajtja e një proteste në PKK Jarinjë, në territorin e Serbisë dhe bllokimi i rrugës për dy orë, duke filluar nga ora 16:00 deri në 18:00. Ju inkurajojmë që nesër të shmangni qarkullimin në këtë PKK dhe të zgjidhni PKK të tjera për qarkullim”, thuhej në njoftimin e QKMK-së.
Edhe MPJD-ja kishte kërkuar që të shmangej udhëtimi nga kjo pikë kufitare.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt vendlindjes apo të kalojnë transit nëpër këtë segment rrugor, këshillohen që të planifikojnë me kohë lëvizjet e tyre dhe, me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata, vonesave apo pengesave eventuale në qarkullim, të shfrytëzojnë rrugë alternative”, ishte thirrja e MPJD-së.
Protesta është paralajmëruar se do të zgjasë deri në ora 18:00.
Ndërkohë, sot është arritur pajtueshmëri që zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe i atij për Automjete të fillojë me disa masa shtesë, për çka qëndroi në Kosovë emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
