
Takimi i samitit të 12-të të Procesit të Berlinit është mbyllur të martën në Londër, pa deklarata për media nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Pas përfundimit të punimeve, Kurti publikoi fjalimin e tij të mbajtur gjatë samitit, ku theksoi se përparimet e arritura në Kosovë mbeten nën “hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm” nga Serbia, duke kërkuar që Beogradit të mos i lejohet të veprojë “me pandëshkueshmëri”.
Ai rikujtoi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, i ndodhur në shtator të vitit 2023, nuk duhet të injorohet. Kurti kujtoi se për këtë sulm përgjegjësinë e ka marrë Milan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – por, sipas tij, Radoiçiq ende nuk po përballet me drejtësi.
“Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, tha Kurti, sipas fjalimit të publikuar në Facebook.
Kosova ka kërkuar vazhdimisht që Serbia ta ekstradojë Radoiçiqin, ndërkohë që në vend po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tre prej dhjetëra të akuzuarve për rastin Banjskë, ku një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra nga një grup serbësh të armatosur. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që përgjegjësit për ngjarjen të përballen me drejtësi.
Gjatë fjalimit në samit, Kurti bëri thirrje për forcimin e unitetit evropian përballë presioneve të jashtme dhe “dyshimeve të brendshme”. Ai theksoi se ky unitet duhet të përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor, i cili ndodhet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por mbetet jashtë strukturave të tyre.
“Një unitet i tillë duhet të shtrihet edhe në juglindje të kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor gjendet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por të gjitha vendet mbeten jashtë BE-së dhe gjysma jashtë traktateve të NATO-s. Kjo nuk është as e mençur dhe as solide. Për ta frenuar ndikimin rus apo kinez në Evropë, nuk duhet të lëmë asnjë vakum,” tha Kurti.
Sipas tij, në një kohë kur lufta midis Rusisë dhe Ukrainës po vazhdon, Londra “mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë”.
Kurse kryeministri shqiptar Edi Rama ka publikuar fotografinë familjare nga Samiti.
“Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor, Londër 2025”, ka shkruar Rama.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Londër tha se Ballkani Perëndimor është vendi ku testohet siguria e kontinentit evropian.
“Rajoni [Ballkani Perëndimor] është përshkruar si udhëkryq i Evropës, por shpesh ka qenë poligon i testimit i Evropës – vendi ku testohet siguria e kontinentit tonë”, tha Starmer në nisje të samitit.
Në Londër, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe disa udhëheqës të Bashkimit Evropian janë takuar për të diskutuar për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit.
Starmer, në nisje të samitit, tha se bisedimet do përqendrohen edhe në çështjet e sigurisë, migrimit, rritjes ekonomike dhe në luftën kundër “ndikimit dashakeq” të Rusisë.
“Ballkani Perëndimor për një kohë të gjatë ka qenë rrugë trazit për bandat kriminale të kontrabandës. Nuk do të dëshironit që këto banda të operojnë në territorin e juaj sepse do të vuanit pasojat e veprimeve të tyre”, tha Starmer.
Procesi i Berlinit është nismë diplomatike e themeluar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.
Në samit morën pjesë udhëheqësit e vendeve të rajonit: nga Kosova kryeministri në detyrë Albin Kurti, nga Shqipëria kryeministri Edi Rama, nga Serbia kryeministri Gjuro Macut, nga Mali i Zi kryeministri Millojko Spajiq, nga Maqedonia e Veriut kryeministri Hristijan Mickoski dhe nga Bosnja e Hercegovina kryetarja e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto.
Në takim mori pjesë edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, përfaqësues të Bashkimit Evropian, si dhe zyrtarë të lartë nga Franca e shtete të tjera anëtare të BE-së.
Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane Angela Merkel, synon të forcojë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut – dhe t’i afrojë ato drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova mbetet ende pa statusin e vendit kandidat për BE. Edhe pse në kuadër të këtij procesi janë nënshkruar disa marrëveshje e deklarata bashkëpunimi, shumë prej tyre nuk janë zbatuar plotësisht.
Në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe u bë e ditur se pjesëmarrësit e samitit diskutuan për stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, me theks të veçantë në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe kontrabandës në rrugët kryesore të Ballkanit.