Vijon të bëhet emergjente situata në aksin Librazhd-Pogradec, në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”, për shkak të rrëshqitjes së dheut dhe dëmtimit të urës.
Gazetarja e Top Channel Bruna Kërçyku raporton nga vendngjarja se ura është çarë dhe në këto momente rrezikon të bjerë, prandaj nuk lejohet as kalimi i këmbësorëve.
Gjatë orëve të fundit shembja ka avancuar, duke rritur rrezikun për qarkullimin në këtë segment. Mjetet e rënda, kamionët dhe autobusët nuk do të lejohen të kalojnë në këtë zonë. Vendimi është marrë në koordinim me Policinë e Shtetit dhe do të jetë në fuqi deri në një njoftim të dytë.
Në njoftimin e saj zyrtar ARRSH këshillon drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe autobusëve të përdorin rrugë alternative. Por ndërkohë policia nuk propozon asnjë rrugë alternative në njoftimin e saj pasi nuk ka asnjë rrugë alternative për mjetet e rënda.
Maunet dhe autobusët që lëvizin nga pikat e kalimit kufitar të Kapshticës apo e Qafë Thanës në drejtim të portit të Durrësit nuk kanë asnjë rrugë alternative kalimi. Megjithatë rrëshqitja masive e tokës në Dragostunjë e cila ka marrë gjysmën e rrugës e rrezikon pjesën tjetër e bën të pamundur dhe të rrezikshme lëvizjen e mjeteve të rënda.
Top Channel

